Vendet e Ballkanit Perëndimor bien dakord për lëvizjen e lirë mes tyre
Ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pajtohen për udhëtimin pa viza midis tyre dhe për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, duke hedhur një hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kjo u bë e ditur nga ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalina Berbok Baerbock, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit, e cila theksoi se këta janë hapa historikë, që ndryshojnë jetën e njerëzve.
“Kjo do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre për të vazhduar studimet në Maqedoninë e Veriut dhe se një arkitekt nga Serbia mund të shkojë dhe të punojë në Mal të Zi. Fundja kjo është gjithçka me të cilën ka të bëjë tregu i brendshëm evropian”, tha zonja Baerbock.
Në takim u tha se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje do ta kenë qytetarët nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza.
Dokumenti përfundimtar pritet të nënshkruhet me 3 nëntori në Berlin, ku pritet të mbahet takimi i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit dhe Komisionit Evropian.
“Duke nënshkruar të marrëveshjet në takimin e ardhshëm në nëntor, ju po bëni një hap të rëndësishëm përpara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ju po e bëni jetën e qytetarëve tuaj më të lehtë dhe po ndihmoni kompanitë tuaja të nxisin tregtinë dhe rritjen ekonomike në të gjithë rajonin”, tha ajo.
Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën për Ballkanin e Hapur dhe i kanë bërë thirrje Kosovës të bëhet pjesë e saj, por i dërguari për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka theksuar se ajo është një nismë ekonomike që mund të ketë sukses vetëm nëse do të përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha të premten në Berlin se “nga Procesi i Berlinit, padyshim që presim një bashkëpunim të thelluar në rajonin tonë. Ne gjithashtu presim që Procesi i Berlinit të marrë një vrull dhe dëshirojmë t’i shprehim mirënjohjen tonë qeverisë gjermane për rifillimin e procesit. Integrimi i rajonit në BE dhe integrimi evropian-atlantik është shumë i rëndësishëm”, tha ajo.
Procesi i Berlinit i cili u ringjall nga kancelari gjerman Olaf Scholz, u hodh në vitin 2014 nga ish kancelaria gjermane Angela Merkel me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
Durimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë në pritje të anëtarësimit po mbaron dhe kritikët e ritmit të ngadaltë të zgjerimit të bllokut thonë se kjo u lë hapësirë Rusisë dhe Kinës për të zgjeruar ndikimin e tyre në rajon.
Ministrja e jashtme gjermane tha është përparësi e qeverisë së saj që të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor në bllok për të siguruar qëndrueshmëri dhe përparim ekonomik, ndërsa bëri thirrje për përshpejtimin e reformave në vendet e rajonit.
Ministrja Baerbock, shprehu dëshirën e saj për normalizimin e “situatës së pazgjidhur” mes Kosovës dhe Serbisë, e cila tha ajo është “shkak i vazhdueshëm i tensioneve”.
Shefja e diplomacisë gjermane i bëri thirrje Serbisë “që të rrisë harmonizimin me politikën e përbashkët dhe të sigurisë të BE-së. Kjo ka të bëjë me sanksionet kundër Rusisë në veçanti; dhe ne presim hapa konkretë të Serbisë për të harmonizuar politikën e saj të vizave. Kontrabanda e njerëzve kërcënon jetën dhe sigurinë e njerëzve dhe marrjen e masave kundër është një qëllim që na bashkon të gjithëve”, tha ajo./voa
Fraksion.com