AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Mbrojmë familjet shqiptare nga rritja e çmimit, ndërtojmë burime të tjera energjetike

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Elbasani se “jemi në rrugë të mbarë për të ndërtuar burime të tjera qoftë të energjisë diellore, për të cilat kemi filluar dy parqe të mëdha, sepse ka një kërkesë gjithmonë e më në rritje, si dhe të energjisë me erë”.

Në fjalën e tij gjatë një takimi me banorët e Elbasanit për prezantimin publik të punëve të bashkisë, Rama theksoi se “jemi shumë përpara edhe me projektin e transformimit të termocentralit të Vlorës në terminal me gazin e lëngshëm, i cili do të na shërbejë shumë për fazën tjetër të zhvillimit tonë dhe në kontekstin e forcimit tonë nga pikëpamja e pozicionit si një aktor në fushën e energjisë”.

“Është e sigurtë që brenda kësaj dekade do të kemi sovranitet të plotë energjetik do ta prodhojmë të gjithë energjinë në vend dhe do të jemi eksportues neto. Por deri atëherë na duhen këto investime, duhet të përfundojmë punët që kemi nisur dhe të nisim punët e tjera duke përfshirë edhe HEC-in e Skavicës që do të na japë mundësinë që kur ka shumë prurje mos e derdhim shumë ujin dhe kur ka mungesë shiu ta kemi në rezervuar dhe mos ta blejmë shtrenjtë, por të kemi rezervën tonë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh, duke iu referuar krizës energjetike globale, se “pavarësisht se e kemi penguar deri tani këtë valë, këtë stuhi të na vijë të futet në shtëpi, mos të harrojmë që kjo po ndodh sepse është qeveria e Shqipërisë që po e ndalon të ndodhë, që po i merr në mbrojtje me këtë politikë të gjitha familjet shqiptare, 1 milion e 100 mijë abonentë janë të mbrojtur”.

“Edhe fasha 800 kV që e morëm si masë për të faturuar në tetor nuk u fut, sepse ne nuk jemi këtu të vendosim masa sa të mundemi, pavarësisht se na duhen, por sapo krijohet një mundësi e vogël për të çliruar njerëzit nga barra e rëndë e kësaj situate, ta bëjmë e të shfrytëzojmë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “për sa i përket krizës së madhe të energjisë, besoj se deri tani jemi vërtet krenarë se kemi arritur të mbrojmë familjet e bizneset e vogla nga rritja e çmimit të energjisë. Ne do mundohemi ta mbajmë të paprekur deri në fund të krizës për familjet e bizneset e vogla. Do përpiqemi të përcjellim mesazhin që kjo varet jo vetëm nga ne, por të gjithë ju, nga çdokush që ndez e fik dritat në shtëpi, në mjediset e aktivitetit të tij, që ndez e fik pajisje elektroshtëpiake. Sa më shumë ta kursejmë energjinë që ne e shpenzojmë edhe në mënyrë të panevojshme, aq më shumë ne jemi të sigurtë, që nuk do ketë kufizime dhe nuk do e paguajmë më shtrenjtë”.

“Shqipëria nuk i mbulon nevojat e veta me kapacitetet e veta energjetike. Në rast se HEC-et tona janë plot ne mbulojmë 75% të nevojave, nëse HEC-et bien nën nivelet e tyre shkon në 60% të nevojave, që do të thotë 25-40% duhet t’i blejmë në tregun ndërkombëtar, ku çmimi është stratosferik. Kjo, për ata që thonë ‘ç’punë kemi ne me luftën’”, tha Rama.