AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Investime zinxhir në spitalet ku lind jeta nga veriu në jug

Materniteti “Koço Gliozheni” në Tiranë po i nënshtrohet një projekti transformues të konceptuar në tre faza zhvillimi.

Investim i qeverisë përfshin transformimin e Urgjencës, Qendrës së Gruas dhe sallave të operacionit, me standardet më të mira për nënat dhe të porsalindurit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje pas përfundimit të investimit për bllokun e ri operator dhe repartin e obstetrikës ku rritja e kapaciteteve do t’u shërbejë më shumë nënave dhe fëmijëve në vendin tonë.

Rama shprehet se ky bllok është pjesë e investimeve zinxhir në spitalet ku lind jeta nga veriu në jug.

Mjekët shprehen se faza e parë përfshinte rehabilitimin, rikonstruksionin dhe shtimin e kapaciteteve si në bllokun e sallave operative edhe në bllokun e sallave të lindjes duke rikonstruktuar gjithë ambientin e shërbimit të obstretikës që është pika nevralgjike e këtij institucioni.

“Sigurisht që është një investim fantastik shumë i mirë, i cili përmirëson kushtet e këtij spitali, por përmirëson edhe kushtet e nivelit të shërbimit të punonjësve dhe mjekëve në rang Republike.  Normalisht do të më pëlqente shumë që të vazhdonim në një rrugë të tillë ku spitalet shtetërore të bëhen tërheqës dhe atraktiv për njerëzit. Gjithë këto rregullime të reja ndikojnë shumë edhe në moralin e personelit. Kam përshtypjen dhe shikoj të ndjehen më të motivuar për në punë tani”, shprehen mjekët e këtij materniteti.

Një tjetër mjek thekson se “ne kemi pak ditë që dhe po shijojmë këtë ndryshim fantastik dhe shumë shpejt të gjitha nënat shtatzëna, por edhe gratë e tjera që do të kenë nevojë për shërbimin gjinekologjik, do ta prekin dhe do ta shijojnë dhe jam shumë i sigurt që do të largohen me mbresa të jashtëzakonshme nga shërbimi që tashmë ka marrë një fytyrë krejt tjetër si në bllokun e lindjes ashtu edhe në bllokun operator”.

Investimi në maternitetin “Koço Gliozheni” do të vijojë me fazën e dytë të punimeve, ndërsa buxheti i vitit 2023 do të mbështesë ngritjen e qendrës së parë të riprodhimit të asistuar në këtë maternitet.

Qeveria shqiptare ka financuar rreth 1 milion dollarë në fazën e parë të investimit në Maternitetin “Koço Gliozheni” për rikonstruksionin e bllokut operator, shërbimit të obstetrikës (bllokut të lindjes, dhomave të zgjimit, dhomat e lehonave) dhe pajisjen e tyre me aparatura mjekësore të standardeve më të mira.

Në fazën e dytë do të kryhet rikonstruksioni i shërbimit të neonatologjisë, pavioneve të lehonisë ndërsa në fazën e tretë do të jetë investimi në sistemin e veshjes dhe paneleve diellore, për të bërë edhe kursimin e energjisë, për të qenë pjesë e aksinonit global për eficençën e energjisë.

Investimi në Maternitetin “Koço Gliozheni” është pjesë e investimeve për shëndetin e nënës dhe fëmijës në maternitete, nga ndërtimi i materniteteve të reja të Korçës, Sarandës, Beratit, Lezhës dhe investimeve në vijim  në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe Maternitetin e Kukësit.

 

Fraksion.com