Minierat në Turqi – Kismet në vend të sigurisë në vendin e punës
Nga Ünveren Burak
Ndërkohë që njerëzit në Turqi përcjellin viktimat e një aksidenti të ndodhur në minierën e Bartinit, qeveria flet për “fatin e keq”. Çudi nuk është as aksidenti as trajtimi që i bën qeveria.
Qasja e qeverisë ka ngjallur kritika tek shoqëria turke dhe opozita. Shteti akuzohet kryesisht se nuk ka marrë masa të mjaftueshme parandaluese kundër aksidenteve të tilla. Ish-besniku, tani kundërshtar i Erdoganit, ish-ministri i Jashtëm dhe ministër Financash, Ali Babacan, e kritikoi qeverinë duke thënë: “Edhe ne besojmë tek fati. Por fillimisht duhet parë çfarë masash janë marrë, pastaj vjen gjykimi nga Perëndia.”
Hedhje hi syve si gjithnjë
Si aksidente të tilla ashtu edhe reagimet nga ana e qeverisë së AKP nuk ndodhin për herë të parë. Njëjtë reagoi Erdogan edhe tetë vjet më parë, kur në fatkeqësinë e minierës së Somas humbën jetën 301 vetë: “Gjëra të tilla ndodhin herë pas here, kjo ka të bëjë me natyrën e këtij profesioni.” Ai kujtoi se që nga shekulli i 19-të, fatkeqësi të tilla kanë ndodhur vazhdimisht në sektorin e minierave. Edhe në atë kohë ai u akuzua për nënvleftësimin e havarisë si dhe për gabime në marrjen e vendimeve.
Sipas ekspertëve, fatkeqësia në Bartin nuk është rasti i vetëm, por flet për një problem të përgjithshëm të sektorit turk të minierave. Sipas të dhënave të Ndërmarrjes Turke të Tymyrit (TTK) vetëm vitin e kaluar kanë ndodhur 208 havari në punë. Rrjeti i shëndetit dhe sigurisë në punë (ISIG), tregon se që nga viti 2002 në vendin e punës kanë humbur jetën të paktën 1989 minatorë.
Në Turqi sundon “fryma e mosvënies para përgjegjësisë”
Një arsye kryesore për përsëritjen e havarive të tilla ka të bëjë me mungesën e vënies para përgjegjësisë të punonjësve të shërbimit të shtetit kur ato ndodhin, thotë avokatja turke Berrin Demir. Demir është specializuar për zbardhjen juridike të havarive vdekjeprurëse në vendin e punës. Në bisedë me Deutsche Welle-n ajo thotë se në Turqi, sundon fryma e mosvënies para përgjegjësisë dhe mosndjekjes penale të punonjësve, që janë përgjegjës për sigurinë në punë. “Sikur të mos ishte kështu, aksidente si ai i Bartinit ose havari të tjera me pasoja fatale në vendin e punës nuk do të kishin ndodhur”, thotë Demir. ” Në 99 përqind të rasteve zyrtarët që merren me çështjen e sigurisë nuk ndiqen penalisht. Nuk ndodh kurrë që ata që janë përgjegjës për havaritë të vihen edhe para bankës së të akuzuarit.”
Siguria në punë faktor kostoje
Në fakt TTK është përgjegjëse për të marrë masat e nevojshme të sigurisë në vendin e punës. Vënia në punë e minierës së Bartinit, ku ndodhi fatkeqësia është po ashtu nën përgjegjësinë e TTK.
Sindikalisti Kemal Kartal thotë, se numri i punëtorëve në minierën e Bartinit është ulur ndërkohë nga 5000 në 400. Ata pak punëtorë që kanë mbetur detyrohen të bëjnë shumë punë. Mungesa e personelit ndikon jo vetëm në cilësinë e punës, por edhe tek siguria në vendin e punës. Përveç kësaj, kursime bëhen edhe në marrjen e masave. “Drejtori i TTK dhe bashkëmanaxheri e dinë mirë çfarë problemesh kanë minierat dhe çfarë do të thotë reduktimi i numrit të punonjësve. Ata e dinë shumë mirë se si ndikon kjo tek punonjësit dhe tek siguria në vendin e punës.”
Por problemi është se Ndërmarrja e Qymyrit është e qeverisë, thotë themeluesi dhe kryetari i sindikatës Enerji-Sen: “Drejtoria e TTK bën si i thotë qeveria. Shëndeti i punonjësve dhe siguria në punë janë për fat të keq të lidhura me kostot.”
Kartal tërheq vëmendjen për numrin e lartë të havarive, për të cilat publiku turk është indinjuar vitet e kaluara: “Sa kohë që ky system mbetet i paprekur, sa kohë që nuk merren masa, sa kohë që siguria në punë shihet nga burokratët e emëruar nga qeveria si faktor kostosh, sa kohë që nuk ndryshon strategjia për ushqimin e sektorit privat, për aq kohë do të ndodhin havari fatale në vendin e punës.” /DW
Fraksion.com