AktualitetPolitikëTë fundit

“Gabim është të fshihesh…”, Bardhi i përgjigjet Berishës për hapjen e dosjeve

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur Berishës në lidhje me ligjin e hapjes së dosjeve të spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Në një postim në rrjetin social, Bardhi thekson se ligji i miratuar dje nuk është ligj kundër Ilir Metës, sa kohë ai mohon të ketë qenë spiun i Sigurimit të Shtetit.

Ai shprehet se nuk është gabim të hapësh dosjet, por të dalësh kundër transparencës me të shkuarën e regjimit komunist.

“Punonjësit dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit kanë qenë një “ushtri” me përgjegjësi kryesore në dhunën që diktatura ka ushtruar mbi shqiptarët. Nuk ka asnjë gabim në hapjen e plotë të dosjeve të tyre; nuk ka asnjë gabim në deklasifikimin e dosjeve të tyre; dhe nuk ka asnjë gabim në heqjen e çdo pengese për të kontrolluar këdo zyrtar të lartë që dyshohet se ka qenë spinun apo punonjës i Sigurimit të Shtetit. Gabim është që të dalësh kundër vetvetes për interesa të supozuara të një individi. Gabim është të dalësh kundër hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit ku të përndjekurit e tij janë themeli i mbështetësve të PD. Gabim është të justifikohesh me mashtrim se dosjet janë hapur plotësisht në 2008, duke qenë i ndërgjegjshëm që ai ligj nuk hyri dot në fuqi, sepse u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Gabim është ti japësh mundësi Edi Kristaq Ramës të flasë për këtë temë, kur PD ka qenë plot 14 vite në pushtet. Gabim është të fshihesh dhe të mos votosh. “Ligji i miratuar dje nuk është ligj kundër Ilir Metës, sa kohë ai mohon të ketë qenë spiun i Sigurimit të Shtetit! Pse qenka ligj kundër Ilir Metës dhe nuk qenka ligj kundër 6 rasteve të tjera, që Autoriteti i Dosjeve i raporton se ndodhen në të njëjtën pozitë?! Nëse dikush ka qenë spiun apo punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe preket nga ligji, atëherë PD nuk i ka asnjë borxh askujt dhe nuk mund të heqë dorë nga parimet e veta për interesin e askujt. Është gabim historik të dalësh kundër trashëgimisë familjare apo politike për interesin e një apo disa individëve. Sigurimsat dhe spiunët e tyre duhet të jenë jashtë politikës, sistemit të drejtësisë dhe administratës publike. Jemi vonë, por nuk mund ta vonojmë më shumë me teatrin e shëmtuar të politikës 32-vjeçare”, shkruan Bardhi.

 

Fraksion.com