Familja e gjen në mëngjes në kanal: 34-vjeçari i vrarë në Fushë-Krujë, kishte plagë me armë zjarri në këmbë
Një 34-vjeçar është gjetur i vrarë mëngjesin e sotëm në Fushë-Krujë. 34-vjeçari është identifikuar si Indrit Ndoj dhe kishte në këmbë një plagë me armë zjarri. Ndoji është gjetur këtë mëngjes nga familjarët e tij në një kanal të zonës, në lagjen “Bakishe Visha”. Familjarët e gjetën të vdekur rastësisht teksa kishin dalë për të shkuar në punë.
Ndoji dhe familja e tij nuk raportohet të kenë konflikte, por ende mbeten të paqarta rrethanat sesi ka ndodhur kjo ngjarje. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës pasi i riu banonte në një shtëpi në fshatin Hasan i vetëm, ndërsa familja në një banesë në lagjen Bakushe Visha.
Familjarët dyshojnë se 34-vjeçari është vrarë në një vend tjetër, por autorët më pas e kanë hedhur në kanalin në lagjen “Bakishe Visha” për të zhdukur gjurmët. Familjarët nuk pranuan të prononcohen për kamerën, por i thanë Report Tv se Ndoj udhëtonte gjithmonë me biçikletë, e cila nuk ndodhet në vendngjarje.
Paraprakisht vrasja e tij dyshohet se mund të ketë ndodhur për ndonjë konflikt të çastit të të riut me dikë, pasi nuk raportohet që ai të ketë hasmëri apo probleme me njeri përpos të kaluarës së tij që lidhet me trafik klandestinësh. Në vitin 2021, Ndoj është arrestuar në parë për kalim të paligjshëm të emigrantëve. Ndoj bashkë me një tjetër të ri, Enea Babasi janë kapur duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Fraksion.com