Aeroporti i Rinasit anulon fluturimet me Italinë, për shkak të grevës; Përjashtohen urgjencat
Aeroporti i Tiranës njofton të gjithë pasagjerët se për shkak të një greve të personelit të trafikut ajror në Itali do të anulohen të gjitha fluturimet e parashikuara për sot drejt vendit fqinj dhe anasjelltas.
TIA bën me dije se sot nuk do të ketë fluturime në aeroportet e Barit, Bolonjës, Ankonës, Bergamos, Veronës, Milanos, Genovas, Riminit dhe Romës, ikje dhe ardhje për në kryeqytetin tonë.
Përjashtim do të bëjnë fluturimet e ambulancës, ato të kërkim-shpëtimit dhe për ndihma humanitare.
Për këtë arsye, TIA iu kërkon pasagjerëve që kanë fluturime të parashikuara për ditën e sotme që të kontaktojnë me kompanitë respektive për të verifikuar statusin e fluturimit të tyre.
Fraksion.com