Kryeministrja Truss zotohet të qëndrojë, pasi ministrja jep dorëheqjen
Kryeministrja britanike Liz Truss e përshkroi veten si “një luftëtare dhe jo dështake” të mërkurën, ndërsa u përball me një kundërshtim armiqësor dhe zemërim nga vetë partia konservatore për planin e saj të dështuar ekonomik. Brenda pak orësh nga deklarata sfiduese, qeveria e saj ishte në prag të kolapsit.
Një anëtare e lartë e qeverisë u largua nga posti i saj me një grumbull kritikash ndaj kryeministres Truss, dhe një votim i Dhomës së Komunave precipitoi në ashpërsi dhe akuza për bulizëm.
Sekretarja e Brendshme Suella Braverman tha se ajo dha dorëheqjen pasi kishte shkelur rregullat duke dërguar një dokument zyrtar nga llogaria e saj personale e emailit. Ajo përdori letrën e saj të dorëheqjes për të kritikuar kryeministren Truss, duke thënë se kishte “shqetësime për drejtimin e kësaj qeverie”.
“Biznesi i qeverisë mbështetet tek njerëzit që pranojnë përgjegjësinë për gabimet e tyre,” tha ajo. “Të pretendosh se nuk kemi bërë gabime, të vazhdosh sikur të gjithë nuk mund të shohin se ne i kemi bërë ato dhe të shpresosh se gjërat do të zgjidhen në mënyrë magjike nuk është një politikë serioze”.
Zonja Braverman është një figurë popullore në krahun e djathtë të Partisë Konservatore dhe një kampione e politikave më kufizuese të imigracionit, e cila kandidoi pa sukses për drejtimin e partisë këtë verë, një garë e fituar nga zonja Truss.
Zonja Braverman u zëvendësua si sekretare e Brendshme, ministri përgjegjëse për emigracionin, ligjin dhe rendin, nga ish-ministri i kabinetit, Grant Shapps. Ai është një mbështetës i politikanit Rishi Sunak, ish-shefit të Thesarit i mposhtur nga zonja Truss në raundin e fundit të garës për drejtimin e partisë konservatore.
Kryeministrja Truss u përball me më shumë trazira në Parlament të mërkurën në mbrëmje në një votim mbi prodhimin e energjisë nga gazi argjilor – një praktikë që zonja Truss dëshiron të rifillojë pavarësisht kundërshtimit nga shumë konservatorë.
Me një shumicë të madhe konservatore në parlament, një thirrje e opozitës për të ndaluar këtë metodë prodhimi u mposht lehtësisht me 326 vota pro dhe 230 kundër, por disa ligjvënës ishin të zemëruar që drejtuesit e Partisë Konservatore thanë se votimi do të trajtohej si mocion besimi, që do të thotë se qeveria do të rrëzohej nëse lëvizja miratohej.
Pati skena të zemëruara në Dhomën e Komunave gjatë dhe pas votimit, me drejtuesit partiakë të akuzuar për përdorimin e taktikave të padrejta për të fituar vota. Ligjvënësi i Partisë Laburiste Chris Bryant tha se ai “pa anëtarët që keqtrajtoheshin fizikisht … dhe kërcënoheshin”.
Disa ligjvënës njoftuan se shefja konservatore Wendy Morton, e cila është përgjegjëse për disiplinën partiake, dhe zëvendësi i saj kishin dhënë dorëheqjen. Por zyra e zonjës Truss më vonë tha se të dy mbetën në detyrë.
Zyrtarët konservatorë mohuan se kishte pasur keqpërdorime, por sipas të dhënave zyrtare vetë zonja Truss nuk arriti të votonte në kaosin e krijuar . Shumë ligjvënës konservatorë ishin të dëshpëruar nga gjendja e partisë së tyre.
Ligjvënësi konservator Charles Walker tha se ishte “një turp”.
“Shpresoj që të gjithë ata njerëz që vendosën Liz Truss-in në post, shpresoj se ia ka vlejtur”, tha ai për rrjetin BBC. “Shpresoj se ia ka vlejtur të ulemi rreth tryezës së kabinetit, sepse dëmi që i kanë bërë partisë sonë është i jashtëzakonshëm.
Zhvillimet dramatike erdhën disa ditë pasi zonja Truss shkarkoi shefin e saj të Thesarit, Kwasi Kwarteng, të premten pasi paketa ekonomike që dyshja paraqiti më 23 shtator, tronditi tregjet financiare dhe shkaktoi një krizë ekonomike dhe politike.
45 miliardë paund (50 miliardë dollarë) të planit të pafinancuar të shkurtimit të taksave shkaktuan trazira në tregjet financiare, duke dëmtuar vlerën e paundit dhe duke rritur koston e huamarrjes së qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Banka e Anglisë u detyrua të ndërhynte për të parandaluar përhapjen e krizës në ekonominë e gjerë dhe vënien në rrezik të fondeve të pensioneve.
Të hënën, zëvendësuesi i zotit Kwarteng, shefi i Thesarit, Jeremy Hunt, hoqi pothuajse të gjitha shkurtimet e taksave të propozuara nga kryeministrja Truss, së bashku me politikën e saj kryesore të energjisë dhe premtimin e saj për të mos shkurtuar shpenzimet publike. Ai tha se qeverisë do t’i duhet të kursejë miliarda paund dhe se ka “shumë vendime të vështira” për t’u marrë përpara se të përcaktohet një plan fiskal afatmesëm më 31 tetor.
Duke folur me ligjvënësit për herë të parë që nga propozimi, zonja Truss kërkoi falje të mërkurën dhe pranoi se kishte bërë gabime gjatë gjashtë javëve të saj në detyrë, por këmbënguli se duke ndryshuar kursin ajo “kishte marrë përgjegjësinë dhe kishte marrë vendimet e duhura në interes të stabilitetit ekonomik të vendit”.
Deputetët e opozitës thirrën “Jep dorëheqje!” ndërsa ajo foli në Dhomën e Komunave.
I pyetur nga kreu i Partisë Laburiste të opozitës, Keir Starmer, “Pse ishte ende në detyrë?” zonjanTruss iu përgjigj: “Unë jam një luftëtare dhe jo një dështake. Unë kam vepruar në interesin kombëtar për të siguruar që të kemi stabilitet ekonomik.”
Shifrat zyrtare të publikuara të mërkurën treguan se inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar u rrit në 10.1% në shtator, duke u rikthyer në nivelin më të lartë të 40 viteve në korrik, pasi kostoja në rritje e ushqimit pakësoi ndjeshëm buxhetet e familjeve. Ndërsa inflacioni është i lartë në mbarë botën – i nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës dhe efekti i tij në furnizimet me energji – sondazhet tregojnë se shumica e britanikëve fajësojnë qeverinë për dhimbjen ekonomike të vendit.
Me sondazhet që i japin Partisë Laburiste një epërsi të madhe dhe në rritje, shumë konservatorë tani besojnë se shpresa e tyre e vetme për të shmangur zgjedhjet e parakohshme është zëvendësimi i kryeministres Truss. Por ajo këmbëngul se nuk do të tërhiqet dhe ligjvënësit janë të ndarë rreth mënyrës se si ta largojnë nga posti.
Zgjedhjet kombëtare nuk duhet të mbahen deri në vitin 2024. Truss duket se përjashtoi thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke thënë të mërkurën se “ajo që është e rëndësishme është që të punojmë së bashku… për të kaluar këtë dimër dhe për të mbrojtur ekonominë”.
Sipas rregullave të Partisë Konservatore, Truss teknikisht është e sigurt për ta drejtuar partinë për një vit, por rregullat mund të ndryshohen nëse këtë e kërkojnë mjaft ligjvënës. Ka spekulime se sa ligjvënës kanë kërkuar një votë mosbesimi dhe tensionet u rritën më tej të mërkurën në mbrëmje.
Deri më tani, nuk ka asnjë kandidat për ta zëvendësuar zonjën Truss. Sunak, udhëheqësja e Dhomës së Komunave Penny Mordaunt dhe sekretari popullor i Mbrojtjes Ben Wallace kanë të gjithë mbështetës, ashtu si zoti Hunt, të cilin shumë e shohin tashmë si kryeministër de facto.
Disa madje favorizojnë kthimin e Boris Johnson-it, i cili u rrëzua në verë pasi u përfshi në skandale etike./voa
Fraksion.com