AktualitetBota+Të fundit

Pheniani lëshon predha artilerie si “paralajmërim serioz” për Seulin

Koreja Veriore ka thënë të mërkurën se ka shtënë me predha artilerie në ujërat afër kufirit me Korenë Jugore, si paralajmërim për stërvitjet ushtarake të Suelit.

Ushtria Popullore Koreane ka nisur të shtëna “kërcënuese, paralajmëruese drejt ujërave lindorë dhe perëndimorë… si kundërmasë e fuqishme ushtarake”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë, sipas një deklarate të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.

Në deklaratë është kërkuar që Sueli “të ndalë menjëherë provokimet nxitëse, të cilat përshkallëzojnë tensionet ushtarake në frontin e luftës”.

Sueli ka thënë se Koreja Veriore ka nisur më shumë se 250 predha artilerie në gjirin perëndimor dhe atë lindor, në zonën kufitare që ndan dy vendet.

Asnjë prej predhave nuk ka kaluar në ujërat territorialë të Koresë Jugore, ka thënë Seuli.

Seuli ka nisur këtë javë stërvitjet ushtarake për mbrojtje, të cilat do të vazhdojnë deri më 28 tetor.

Verikoreanët i kanë konsideruar këto stërvitje si “veprime ushtarake të armikut, kundër veriut”.

Situata në Gadishullin Korean është shumë e tensionuar.

Koreja Veriore, shtet i pajisur me armë bërthamore, ka kryer disa testime raketore në javët e fundit.

Qeveria në Phenian ka thënë se testimet kanë pasur synim që të simulojnë hedhjen e armëve bërthamore taktike në zonat e Koresë Jugore.

Rezolutat e Kombeve të Bashkuara ia ndalojnë Koresë Veriore testimin e të gjitha llojeve të raketave balistike.

 

Fraksion.com