“I lidhur me Rusinë”: Ministrja e Brendshme Gjermane shkarkon nga posti shefin Sigurisë Kibernetike
Akuzat kanë “dëmtuar përgjithmonë besimin e nevojshëm të publikut në neutralitetin dhe paanshmërinë e udhëheqjes së presidentit të autoritetit më të rëndësishëm gjerman të sigurisë kibernetike”, thuhet në deklaratë.
Schönbohm, i cili ka qenë drejtues i Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI), është kritikuar për lidhjen e tij me një shoqatë të quajtur Këshilli i Sigurisë Kibernetike të Gjermanisë, e cila vetë është kritikuar për lidhje me qarqet e inteligjencës ruse.
Schönbohm, 53 vjeç, kishte qenë president i BSI që nga shkurti 2016. Ai u shkarkua të martën (19.10) “me efekt të menjëhershëm”, komunikoi Ministria e Brendshme.
Eksperti më i lartë i qeverisë për sigurinë kibernetike u akuzua se i kishte marrë lehtë kritikat e përsëritura për kontaktet e tij të vazhdueshme me Këshillin e Sigurisë Kibernetike në Gjermani, një shoqatë të cilën ai vetë e krijoi 10 vjet më parë.
Akuzat e raportuara kundër Schönbohm kishin “dëmtuar përgjithmonë besimin e nevojshëm të publikut në neutralitetin dhe paanshmërinë e udhëheqjes së presidentit të autoritetit më të rëndësishëm gjerman të sigurisë kibernetike”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Ministria e Brendshme nuk ka vendosur ende se kush do ta pasojë Schönbohm në post. Zëdhënësja e politikës së sigurisë për të Gjelbërit në Bundestag, Sara Nanni, postoi në Twitter se shkarkimi i Schönbohm ishte një “vendim i mirë”.
Manuel Höferlin, zëdhënës i FDP-së liberale, partia e tretë në koalicion, paralajmëroi që posti të mos mbetet vakant, në sfondin e “sulmeve aktuale në infrastrukturën tonë kritike dhe rrezikun e madh nga Rusia”. Ai i referohej sabotimit të pashpjegueshëm në rrjetin hekurudhor, disa ditë më parë.
Opozita kristiandemokrate, që e kishte caktuar Schönbohm në krye të BSI-së, në vitin 2016, aludon se veprimi i ministres socialdemokrate ka prapavijë partiake./dw
Fraksion.com