A jemi dëshmitarë të fundit të dominimit të Perëndimit?
Nga John Mac Ghlionn
Më 26 shtator u sulmua gazsjellësi “Nord Stream”. Kush ishte përgjegjësi? Shumë njerëz, përfshirë Ministrin gjerman të Ekonomisë Robert Habek, nxituan të fajësojnë Rusinë. Të tjerë e drejtuan gishtin nga Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa miliona njerëz janë të zënë me hamendësime dhe hipoteza, miliona evropianë po luten që ky që mbërrin të jetë një dimër i butë. Sulmi duhet parë si një moment kyç.
Siç paralajmëroi kohët e fundit makroekonomisti Filip Pilkington “sabotazhi ndaj “Nord Stream”, mund të jetë një ngjarje që mund të shenjojë historinë botërore, të cilën historianët e ardhshëm do të cilësojnë si fillimin e fundit të dominimit të Perëndimit”.
Dhe mund të kenë të drejte. Vitin e kaluar, ky gazsjellës, që shtrihet nga qyteti rus Viborg në qytetin gjerman Greifsvald, i furnizoi vendet e Bashkimit Evropian me 40 për qind të sasisë që konsumojnë çdo vit. Kriza energjetike mund të mos e dobësojë vendosmërinë e Evropës për përmbushjen e angazhimeve të marra për mbrojtjen e klimës, por sigurisht që do ta dobësojë vendosmërinë e saj ekonomike.
Gjermania, ekonomia më e madhe në Evropë dhe e katërta në botë, ishte deri vonë “e lidhur shumë” me gazin rus. Tani, ajo duhet të gjejë me shpejtësi një furnizues të ri. Por ky proces do të marrë kohë, dhe koha është e vetmja gjë që Gjermania nuk ka në dispozicion.
Dimri është në prag. Dhe nëse Gjermania pëson kolaps, atëherë e njëjta gjë do të ndodhë me ekonominë e gjithë Evropës.
Nëse ekonomia evropiane shembet, atëherë do të vuajë edhe ekonomia e SHBA-së. Tek e fundit, marrëdhëniet e forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës nuk janë ndërtuar vetëm mbi vullnetin e mirë. Ato janë krijuar nëpërmjet marrëveshjeve tregtare, investimeve masive dhe tregjeve financiare.
Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, ndajnë një nga marrëdhëniet ekonomike më të integruara në botë, në mos më të integruarat. Nëse bie “dominoja” gjermane, skenari që duket si më i mundshmi nga dita në ditë, do të shemben papritur shumë domino të tjera.
Sigurisht, nëse Evropa dhe Shtetet e Bashkuara bien, bota do të vuajë apo jo? Ndoshta po, por ndoshta jo. Siç aludoi Pilkington “një bllok rival ekonomik”, i njohur si BRICS, mund ta gjente veten të izoluar nga kaosi.
Një akronim që i referohet vendeve në zhvillim si Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrikae Jugut, BRICS mund të bëhet shumë shpejt SITE BRICS, me Arabinë Saudite, Iranin, Turqinë dhe Egjiptin, që gjithashtu përflitet se janë të interesuar për t’iu bashkuar me shpejtësi këtij blloku në zhvillim.
Pilkington vuri në dukje se që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, anëtarët e BRICS i kanë shtuar marrëveshjet tregtare dhe forcuar lidhjet financiare midis tyre. “Duket se synohet që këto ekonomi të shkëputen sa më shumë nga Perëndimi. Nëse do të jenë të suksesshëm në këtë aspekt, ata mund të shmangin krizën”- shkroi Pilkington.
Ne jemi sot dëshmitarë të lindjes së një rendi të ri botëror, një ndryshim ky dramatik sa i përket përkatësive politike dhe ideologjive BRICS që bashkon vendet me një ndikim real ekonomik dhe militarist. Nga të gjithë anëtarët e saj, Kina është më e fuqishmja.
Afrika, dikur një kontinent që shihte nga SHBA-ja për udhëzime, tani e ka kthyer kokën për mbështetje nga Kina. BE-ja, dikur një bashkim disi koheziv dhe i respektueshëm, është në kaos. Në të njëjtën kohë, Kina është e zënë me krijimin e marrëdhënieve me Indonezinë, një vend tjetër që supozohet të bashkohet me BRICS, dhe me Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë. Interesant është fakti, se sipas studiuesve në Harvard, Indonezia pritet të ketë një nga ekonomitë më të fuqishme deri në fund të kësaj dekade. Një tjetër moment interesant përfshin Arabinë Saudite, anëtare e BRICS dhe aleate e ngushtë e Kinës. Gjiganti i Lindjes së Mesme krenohet sot me ekonominë me rritjen më të shpejtë, si një ndër ekonomitë më kryesore të botës.
Kjo rritje është nxitur nga nivelet fenomenale të tregtisë me Kinën, udhëheqësen e pazgjedhur të BRICS. Sigurisht edhe Kina ka dobësitë e saj të shumta. Por është e rëndësishme të kujtojmë se shumë nga dobësitë e saj – një popullsi në plakje të shpejtë, më pak njerëz që martohen, të rinj të pakënaqur dhe të papunë – janë të përbashkëta me superfuqitë e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Po ashtu, është e rëndësishme të mos harroni faktin se Kina po punon për të krijuar një sistem të ri pagesash për të prishur dominimin e dollarit amerikan. Sistemi i pagesave ndër-bankare ndërkufitare të CCP (CIPS), që ofron shërbime me klering dhe shlyerje të borxheve në juanin kinez, ka aktualisht mbi 1.300 pjesëmarrës, duke mbuluar 106 rajone dhe vende të botës.
Kina komuniste dëshiron që të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si superfuqia kryesore në botë. Vetëm një budalla do të vinte bast kundër despotëve në Pekin se nuk mund ta arrijnë këtë ambicie. Kur flasim për Partinë Komuniste Kineze (PKK), ia vlen të kujtojmë fjalën e urtë “E nesërmja u përket njerëzve që përgatiten për të që sot”.
Me në krye Xi Jinping, një diktator i përjetshëm, Kina mund të planifikojë të vepropjë në përputhje me rrethanat. PKK ndodhet në një pozicion vërtet unik. Anëtarët e saj mund të thirrin plane që do të zgjasin me vite, dhe ndoshta edhe me dekada.
Ëndrra e PKK për t’i dhënë formën botës sipas “idesë kineze” po bëhet shumë shpejt realitet. Kina, partneri tregtar numër 1 në botë, vendos rregulla që janë të gatshme t’u binden dhjetëra vende të tjera. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë një problem të vërtetë me imazhin, dhe duket se po e humbasin tërheqjen e tyre globale.
Me sa duket, bota po shkon drejt multipolaritetit, me pushtetin që po shpërndahet disi në mënyrë të barabartë midis një numri vendesh. Në fakt ne mund të hyjmë në një periudhë unipolariteti të fortë, me Kinën që i tërheq fijet nga pas./The Epoch Times, Bota.al
Shënim: John Mac Ghlionn është një studiues dhe eseist. Ai shkruan rregullisht për New York Post, The Sydney Morning Herald, Newsweek, National Review dhe The Spectator US, ndër të tjera.
Fraksion.com