Kushi: Studentët ekselentë bursë sa paga minimale
Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi tha sot në takimin që u zhvillua në Tiranë, me rektorët e universiteteve publike dhe jopublike, se “kohët e fundit është forcuar dhe institucionalizuar nëpërmjet Komitetit të Përbashkët për Politikat e Arsimit të Lartë, komitet që ka në përbërje edhe përfaqësues nga universitet jopublik”.
“Tre vitet e kaluara kanë qenë vite të vështira, fillimisht tërmeti, pandemia dhe ky vit është i vështirë për shkak të krizës së luftës në Ukrainë, ku Shqipëria natyrisht nuk mund të përjashtohet nga ky ndikim i kësaj lufte, ndaj kërkohet më shumë bashkëpunim dhe partneritet përballë këtyre sfidave”, tha Kushi.
“Pavarësisht vështirësive, theksoi ajo, ne arritëm këtë vit të kemi edhe disa politika të reja siç ishte shpallja e programeve prioritare, një detyrim ligjor që tashmë është realitet. Gjithashtu studentët që zgjedhin këto programe prioritare, studentët ekselentë ata që fitojnë olimpiada ndërkombëtare, do të përfitojnë përjashtim nga tarifa, por edhe bursa të barazvlefshëm me pagën minimale, që e cila ndodh për herë të parë këtë vit”, u shpreh ajo.
Duke u ndalur në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, Kushi vuri në dukje se janë ndërmarrë investime të rëndësishme. Ajo tha se UBT do të ketë një kampus me standardet më të mira, po kështu edhe ai i Mjekësisë, por edhe në universitetet e tjera në rrethe të vendit.
Kushi vlerësoj punën e suksesshme që është bërë në drejtim të ndërkombëtarizimit të Universiteteve.
“Përgëzoj universitetet që brenda një kohe shumë të shkurtët ne kemi një numër shumë të lartë marrëveshjesh, programesh në nivele bachelor, master, doktoraturash. Ndërsa ka një rritje të jashtëzakonshme të nivelit të punës kërkimore shkencore. Unë doja të theksoja që të punojmë për misionin e tre të universiteteve. Është që rezultatet t’i vënë në dispozicion të komuniteteve, të bizneseve. Punët shumë herë mbeten në rafte dhe nuk japin atë rol që duhet të kenë. Puna kërkimore shkencore është edhe një mënyrë për të rritur të ardhurat e universiteteve, ligji u jep mundësi që përveç tarifave të studentëve të kenë mundësi të grumbullojnë të ardhura. Nga të dhënat që kemi ne pjesa më e madhe i grumbullon të ardhurat nga tarifat. T’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që jep ligji për Arsimin e Lartë për të rritur të ardhurat dhe këtu duket edhe aftësia që kanë universitete për të rritur të ardhurat”, u shpreh Kushi.
Fraksion.com