Kongresi i partisë në Kinë premton vazhdimësi, jo ndryshim
Punimet e Kongresit të Partisë Komuniste të Kinës, flasin për linjën e vazhdimësisë dhe jo të ndryshimit.
Kongresi një-javor pritet të rizgjedhë Presidentin Xi Jinping si udhëheqës, të ripohojë vazhdimin e politikave të tij për pesë vitetet e ardhshme dhe ndoshta të ngrejë edhe më lart statusin e tij si një prej udhëheqësve më të fuqishën të historisë moderne të Kinës.
ÇFARË PRITET TË NDODHË MË TEJ?
NJË LINJË VAZHDIMËSIE
Nuk bëhet fjalë për një pikë kthese për partinë. Ndryshimi ndodhi 10 vjet më parë kur partia emëroi zotin Xi si udhëheqës, megjithëse në atë kohë kjo nuk ishte e qartë.
Që atëherë, zoti Xi e ka riorientuar Kinën si brenda edhe jashtë vendit. Ushtria ka paraqitur pretendime për territore të diskutueshme, ndërsa diplomatët janë bërë më të drejtpërdrejtë, duke thënë se Kina nuk do t’i lejojë vetes të frikësohet nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët.
Presidenti Xi ka rikthyer kontrollin më të fortë të shtetit mbi ekonominë dhe shoqërinë, duke zgjeruar censurën dhe arrestimet ndaj zërave kundër. Një goditje e paprecedentë ndaj korrupsionit ka pushuar nga detyra qindra zyrtarë të lartë, përfshirë disa rivalë të mundshëm politikë.
Këto prirje do të vazhdojnë, sipas mesazhit që përcolli zoti Xi në një raport partie 1 orë e 45 minuta të gjatë që ai mbajti në seancën e hapjes së Kongresit të dielën.
Willy Lam, një bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown, vë në dukje se raporti bënte fjalë për një “modernizim të stilit kinez”, që duhet të përputhet me vlerat socialiste.
“Kina do të qëndrojë në rrugën e saj,” tha zoti Lam me bazë në Hong Kong. “Nuk do të huazojë asnjë veprim apo stil qeverisjeje nga vendet e huaja.”
PRODHIMI I BRENDSHËM BRUTO
Kina anuloi befas të hënën shpalljen e shifrave të rritjes ekonomike për tremujorin e tretë, që pritej të dilte të martën.
Askush nuk dha ndonjë arsye për anulimin. Raporti për Prodhimin e Brendshëm Bruto kishte të ngjarë të binte ndesh me tonin e sigurt të kongresit të partisë, duke treguar se ekonomia u rrit me vetëm 3% në tremujorin e fundit, pak më shumë se gjysma e objektivit zyrtar prej 5.5%.
Ekonomia po vuan efektin e kufizimeve të rënda të COVID-19 të vendosura nga qeveria e zotit Xi, një ngadalësimi të ndjeshëm në tregun e pasurive të paluajtshme dhe pasojave nga lufta në Ukrainë.
Një punonjëse që iu përgjigj telefonit në zyrën e shtypit të Byrosë Kombëtare të Statistikave tha vetëm se shtyrja ishte për shkak të “aranzhimeve të punës”.
NGRITJA E ZOTIT XI
Zoti Xi tashmë ka eliminuar konkurrentët dhe ka konsoliduar pushtetin. Pyetja është nëse ai do të fitojë edhe më shumë pushtet — dhe si do ta bëjë një gjë të tillë.
Praktikisht, ai e ka vendosur veten në krye të ushtrisë, politikës së jashtme, ekonomisë dhe shumicës së çështjeve të tjera nëpërmjet një sërë grupesh pune partiake që ai drejton.
Simbolikisht, ideologjia e tij, e njohur si “Mendimi i Xi Jinpingut”, u përfshi në kongresin e mëparshëm në vitin 2017.
Një tjetër amendament i kushtetutës është në rendin e ditës për kongresin e kësaj jave. Nuk janë bërë të ditura detaje, por analistët thonë se kjo mund të konsolidojë më tej statusin e tij në parti.
DREJTUESIT E RINJ
Është traditë e partisë që të shpallë udhëheqjen e saj më të lartë për pesë vitet e ardhshme një ditë pas mbylljes së kongresit. Grupi i vogël i emëruar në Komitetin e Byrosë Politike identifikohet për herë të parë kur ata dalin në skenë.
Zoti Xi pritet gjerësisht të kryesojë, duke marrë një mandat të tretë pesë-vjeçar. Kjo do të eliminonte një marrëveshje të nënkuptuar që udhëheqësit e partive të largohen pas dy mandatesh.
Emrat e tjerë të udhëheqjes që aktualisht ka shtatë anëtarë, mund të japin shenja për të ardhmen e zotit Xi dhe drejtimin e politikës.
Ai pritet ta mbushë komitetin me besnikë të tij. Analistët shtrojnë pyetjen nëse rënia ekonomike e Kinës do ta detyrojë atë të fashisë entuziazmin e tij për një ekonomi të drejtuar nga shteti dhe të përfshijë mbështetës të një qasjeje më të orientuar nga tregu.
Asnjë pasardhës i dukshëm nuk u zgjodh për Komitetin e Përhershëm aktual në vitin 2017, duke sinjalizuar se Xi po priste një mandat të tretë. Duke marrë një mandat të tretë të pritshëm, zoti Xi do të sugjeronte se planifikon një qëndrim edhe më të gjatë.
Duke qenë se shumica e seancave të kësaj jave mbahen me dyer të mbyllura, asnjë nga këto nuk ka gjasa të dihet deri në fundjavë. Çdo ndryshim i kushtetutës zakonisht shpallet në seancën përmbyllëse të shtunën dhe udhëheqja e re paraqitet të dielën.
LODHJA NGA IZOLIMI PREJ COVID-it
Për shumë kinezë të lodhur nga kufizimet e pandemisë së koronaviriusit, shqetësimi kryesor është në se do të ketë lehtësime nga politika “zero-Kovid” pas kongresit. Përgjigja ndoshta nuk do vijë menjeherë, pasi kur bëhen ndryshime në Kinë ato zakonisht ndodhin gradualisht.
Partia Komuniste është gjithmonë e etur ta paraqesë vendin në një dritë pozitive gjatë kongresit dhe të shmangë çdo probleme në sferën sociale dhe një shpërthim i madh COVID-19 do të ishte një problem i tillë.
Por zyrtarët e partisë pritet të mbeten të kujdesshëm në lidhje me hapjen edhe pas kongresit, pasi është e pasigurt se sa gjerësisht do të përhapet COVID-19 kur të lehtësohen udhëtimet dhe kufizimet e tjera.
Përveç kësaj ka gjithmonë ngjarje të tjera të rëndësishme për t’u organizuar. Pas Kongresit të partisë, legjislatura e Kinës do të mblidhet vitin e ardhshëm, ndoshta në mars. Shumë kinezë presin që masat e izolimit të vazhdojnë të paktën deri atëherë./VOA
Fraksion.com