AktualitetBota+Të fundit

Shqetësim për përhapjen e luftës së Ukrainës në perëndim

Varshava kritikon ashpër Bjellorusinë. Në Poloni është rritur shqetësimi për përhapjen e luftës në Ukrainë pas njoftimit të pushtetmbajtësit, Aleksander Lukashenko për njësi ushtarake të përbashkët me Rusinë.

Forcat e armatosura ukrainase zhvillojnë trajnime në zonën kufitare pranë Bjellorusisë. Sipas regjistrimive filmike të agjencive Reuters dhe AP shihen ushtarë ukrainas që përgatiten në rast të një sulmi nga veriu. Rreziku është realist, është i mendimit komandanti i njësive ushtarake ukrainase, Serhiy Naev. Nuk duhet harruar që Bjellorusia është aleate e Rusisë në agresionin kundër Ukrainës. “Ne llogarisim me një spektër të gjerë të kërcënimeve dhe bëjmë gjithçka që këto kërcënime të mos bëhen realitet.”

Njësi ushtarake me Rusinë

Vetëm para pak ditësh, Lukashenko bëri të ditur, se do të krijiohet një njësi e përbashkët ushtarake ruse-bjelloruse. Ai e argumentoi këtë me ashpërsimin e gjendjes në kufirin perëndimor të Bjellorusisë. Krijimi i forcave të armatosura të përbashkëta ka filluar, u shpreh Lukashenko në një takim me ushtarakë të lartë në vend. “Udhëheqja ushtarake e NATO-s dhe disa shtete europiane e mendojnë hapur mundësinë e një agresioni kundër vendit tonë deri në një sulm atomik. Përmes kanaleve jozyrtare ne jemi paralajmëruar, se është planifikuar një sulm në territorin tonë, sipas modelit të sulmit në urën e Krimesë.”

Këto zhvillime në Bjellorusi kanë rritur së tepërmi shqetësimin në Poloni nga një zgjerim i luftës drejt perëndimit. Zëvendësministri i jashtëm polak, Marcin Przydacz tha para televizionit polak, TVP se perëndimi duhet të bëjë gjithçka që të pengojë një hyrje të drejtpërdrejtë të Bjellorusisë në luftë kundër Ukrainës. “Lukashenko ka filluar aksione të ndryshme në kufirin me Ukrainën, për të tërhequr pjesë të forcave të armatosura ukrainase në kufirin me Bjellorusinë që ato të mungojnë në frontin jugor. Shtetet perëndimore duhet t’ia bëjnë shumë të qartë qeverisë në Bjellorusi, se çfarë pasojash do të kishte kjo, nëse Bjellorusia merr pjesë aktive në këtë luftë.”

Tichanovskaja nuk beson në ndërhyrjen direkte të Bjellorusisë

Një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të forcave bjelloruse nuk e shikon si mundësi reale drejtuesja e opozitës bjelloruse në ekzil, Svetlana Tichanovskaja. Ushtria e vendit të saj nuk është e gatshme për këtë, tha ajo në një fjalim para Parlamentit Europian këtë javë. “Unë dyshoj, se ushtarët bjellorusë do të merrnin pjesë në këtë luftë. Por Lukashenko po krijon situatën e kërcënimit, ai flet për një kërcënim nga ana e Ukrainës, nga armiqtë e jashtëm dhe se Bjellorusia duhet të mbrohet. Por populli në Bjellorusi e kupton shumë mirë, se nuk ka asnjë rrezik nga Polonia, Lituania apo ndonjë vend tjetër demokratik në Europë. Lukashenko përmbush vetëm dëshirën e bosit të tij, Putinit.”

Në fillim të luftës në Ukrainë në shkurt, ushtarët rusë depërtuan nga Bjellorusia në Ukrainë deri në zonat rreth Kievit. Nëse ushtarët rusë do të zhvendoseshin sërish në Bjellorusi, do të ketë rezistencë në vend, tha Tichanovskaja në “Forumin e Sigurisë së Varshavës” në fillim të muajit. “Ka shenja, se sërish trupat ruse do të zhvendosen në Bjellorusi. Partizanët tanë përgatiten për një rast të tillë, edhe pse për akte të tilla sabotazhi dënimi është me vdekje. Por bëhet fjalë edhe për të ardhmen tonë. Pa një Ukrainë të lirë, nuk do të ketë Bjellorusi të lirë.”/DW

 

Fraksion.com