OKB-ja “shumë e shqetësuar” për 92 migrantët e zhveshur në kufirin Greqi-Turqi
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, ka thënë se është “shumë e shqetësuar” pas identifikimit të gati 100 burrave të zhveshur në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë.
Të dyja shtetet kanë fajësuar njëra-tjetrën për gjendjen e rëndë të 92 migrantëve.
Greqia e ka hedhur fajin në derën e Turqisë, duke thënë se “sjellja” e saj është “turp për civilizimin”.
Turqia i ka konsideruar pretendimet e shtetit fqinj si “lajme të rreme”, dhe e ka akuzuar për “mizori”.
Teksa të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën, Agjencia e OKB-së për Refugjatë, ka bërë thirrje për hetime, dhe ka thënë se është “thellësisht e shqetësuar nga raportimet dhe pamjet shokuese”.
Policia greke ka thënë se ka shpëtuar të premten 92 burra të zhveshur dhe disa kanë qenë të plagosur, afër kufirit verior me Turqinë.
Zyrtarët policorë kanë thënë se hetimet e tyre, dhe ato të zyrtarëve të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Kufijtë, Frontex, kanë gjetur të dhëna se migrantët kanë kaluar lumin Evros, në territorin grek, nga Turqia, me disa gomone.
Autoritetet greke kanë thënë se burrave u janë dhënë veshmbathje, ushqim dhe ndihma e parë.
Ende nuk dihet si dhe pse burrat kanë mbetur të zhveshur.
Frontex ka thënë se burrat kanë qenë kryesisht nga Afganistani dhe Siria.
Greqia i ka bërë thirrje Turqisë që të respektojë një marrëveshje të vitit 2016 me Bashkimin Evropian, sipas së cilës, Ankaraja është pajtuar për të ndalur valën e migtantëve në Evropë, në këmbim të miliarda eurove si ndihmë.
Athina ka thënë se së shpejti do të vendosë tela gjemborë në një territor prej 40 kilometrash, në kufi me Turqinë, për të parandaluar hyrjen e migrantëve në shtet.
Fraksion.com