Scholz-Ramës: Edi, ne i qëndrojmë krah vendeve të Ballkanit Perëndimor
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ka ritheksuar mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor në përballje me sfidat aktuale.
Gjatë fjalës së tij në gjuhën gjermane në Kongresin e Partive Socialiste Europiane që u mbajt më datë 14-15 tetor në Berlin, Scholz i është drejtuar kryeministrit Edi Rama duke i shpjeguar në anglisht mesazhin që po përcillte.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë 20 vite që janë kandidatë për në BE. Por pas kaq kohësh kjo nuk do të jetë vetëm me fjalë, por edhe me vepra”, deklaroi në gjuhën gjermane Kancelari Scholz.
Më pas, ai iu drejtua në anglisht kryeministrit Rama i pranishëm në sallë duke u shprehur: “Edi sapo thashë, se ne i qëndrojmë krah vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Kryeministri Rama publikoi në rrjetet sociale mesazhin e Kancelarit Scholz duke u shprehur: “Ai momenti kur drejtori ta përsërit para kolektivit që do marrësh honorar për punën jashtë orarit”.
Forcat politike progresiste nga mbarë Europa, u mblodhën në Berlin në Kongresin e Socialistëve&Demokratëve Europiane, të përfaqësuar nga kryetarët e shteteve dhe qeverive, komisionerët evropianë, drejtuesit e partive dhe përfaqësues të tjerë, nën moton “Me guxim. Për Europën”.
Kryeministri Edi Rama ishte pjesë e një prej paneleve ku u diskutua gjerësisht mbi mënyrat e përballjes me sfidat e përbashkëta të së sotmes, nga inflacioni i luftës tek kriza e imponuar e energjisë, e me radhë.
Në fjalën e tij, Kreu i Ekzekutivit risolli në kujtesë rastin e vaksinave anti-COVID në pandemi ku theksoi se “na u desh të shihnim, si të tjerët rreth nesh nisnin të vaksinonin të moshuarit e tyre, infermierët, mjekët e tyre, ndërkohë që ne, qytetarët e Ballkanit Perëndimor, edhe pse ishim kaq besimplotë e kaq shumë besnikë karshi Europës, ishim si peshku pa ujë”.
Për këtë, Rama kërkoi mbështetjen e Bashkimit Evropian në përballjen me krizën energjetike që mos të përsëritet e njëjta situatë.
“Përsëri, ja ku jemi. Kriza e energjisë nuk është pandemia, por është e ngjashme kur vjen fjala për fuqinë goditëse që mund të trazojë të gjithë komunitetin europian do të thoja. Dhe unë shpresoj që nuk do të ndodhë sërish që cilado zgjidhje të gjendet brenda BE sidoqoftë BE të zgjedhë të mbështesë vendet anëtare për të përballuar këtë goditje të stërmadhe, ne nuk do të lihemi sërish jashtë”, deklaroi Kryeministri Rama.
Fraksion.com