Rama në Berlin: Asnjë vend të mos lihet pas në sfidat e përbashkëta
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Komuniteti Politik Evropian duhet të funksionojë në mënyrë të tillë, që kur vjen fjala për sfida të jashtëzakonshme të përbashkëta, askush të mos lihet pas.
Në fjalën e tij në panelin e Kongresit të Socialistëve dhe Demokratëve në Berlin, Rama u shpreh se, “po mendoja se cili do të ishte një kontribut i vlefshëm në këtë Kongres, ndërsa viij nga një vend që nuk është në BE, por është në E, në Evropë dhe duke qenë pjesë e kësaj hapësire, në zemër të Evropës, në zemër të Bashkimit Evropian, por jashtë BE, që është Ballkani Perëndimor dhe mendova se nuk do ishte ide e keqe nëse do të përpiqesha të përcillja mesazhin se ajo çka nisi pak ditë më parë, apo disa javë më parë në Pragë, në përpjekjen për ta bashkuar Evropën përtej kufijve të Bashkimit Evropian dhe për të përfshirë vende që në një mënyrë, ose në një tjetër janë të lidhur, jo thjesht me fatin e Evropës, por gjithashtu me mënyrën sesi ecën përpara BE”.
“Mbetet ende një pikëpyetje e madhe. Po ky komunitet është i nevojshëm, e kemi parë, sidomos në këto kohë që po bëhen gjithmonë e më tepër të përbashkëta, duke sjellë gjithmonë sfida të përbashkëta, por mënyra sesi ky komunitet do të funksionojë, në mënyrë të tillë që në përfundim, të gjithë të shohin rezultate. Si ky komunitet mund të funksionojë në mënyrë të tillë, që kur vjen fjala për sfida të jashtëzakonshme të përbashkëta, askush të mos lihet pas dhe kontributi i askujt ndaj qëndrimit të përbashkët evropian të mos merret i mirëqenë”, tha Rama.
“Ne kemi një eksperiencë të tmerrshme me Bashkimin Evropian, kur shpërtheu pandemia dhe kur BE u mblodh me nxitim dhe nën trysninë e një angështie shumë të madhe për të nisur vaksinimin dhe në raundin e parë të vaksinimit, ne u harruam krejtësisht”, theksoi Rama.
“Kështu që, na u desh të shihnim, si të tjerët rreth nesh nisnin të vaksinonin të moshuarit e tyre, infermierët, mjekët e tyre, ndërkohë që ne, qytetarët e Ballkanit Perëndimor, edhe pse ishim kaq besimplotë e kaq shumë besnikë karshi Europës, ishim si peshku pa ujë. Çfarë mund të bënim? Na u desh të vraponim dhe t’i gjenim vaksinat pikërisht aty ku Bashkimi Europian thotë se vjen rreziku, Kina, Rusia dhe Turqia”, tha Rama.
“Në rastin e Shqipërisë, për shembull, po të mos kishte qenë Turqia dhe Presidenti Erdogan, nuk do të kishim qenë në gjendje të vaksinonim askënd për një kohë mjaft të gjatë. E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë dhe Kinën dhe njëfarë soji, edhe Rusinë”, theksoi kryeministri Rama.
“Ishte një moment shumë i frikshëm sepse pamë që në një situatë shumë të vështirë, Bashkimi Europian nuk ishte për ne, nuk ishte për njerëzit tanë, nuk ishte i pranishëm për një çështje jetë a vdekjeje” u shpreh më tej kreu i qeverisë.
“Përsëri, ja ku jemi. Kriza e energjisë nuk është pandemia, por është e ngjashme kur vjen fjala për fuqinë goditëse që mund të trazojë të gjithë komunitetin europian do të thoja. Dhe unë shpresoj që nuk do të ndodhë sërish që cilado zgjidhje të gjendet brenda BE sidoqoftë BE të zgjedhë të mbështesë vendet anëtare për të përballuar këtë goditje të stërmadhe, ne nuk do të lihemi sërish jashtë”, tha Rama.
Fraksion.com