Depozitat e gazit në Gjermani pothuajse plot
Ndonëse dukej si e pamundur: por tani depozitat e Gjermanisë janë pothuajse plot. Kjo sasi mund të mbulojë nevojat për dy muajt e ftohtë të dimrit. Megjithatë drejtuesit e sektorit vazhdojnë përpjekjet.
Brenda 24 orëve niveli i mbushjes së depozitave të gazit në Gjermani u rrit me 0,17 pikë në volumin 95,14 përqind, sikurse u komunikua të enjten (13.10) në mbrëmje, sipas të dhënave të Menaxhuesit Europian të Infrastrtukturës së Gazit. Një udhëzim federal përcakton, që më 1 nëntor depozitat duhet të jenë të paktën 95 përqind të mbushura. Kjo vlerë tashmë është arritur.
Sasia e akumuluar është e mjaftueshme për të përballuar dy muaj të ftohtë dimri, tha presidenti i Agjencisë Federale të Rrjetit, Klaus Müller. “Depozitat e mbushura do të na ndihmojnë në dimër.” Njëkohësisht ai theksoi, se depozitat e mbushura nuk mjaftojnë për të gjithë periudhën, kur është e nevojshme ngrohja dhe se duhen vazhduar përpjekjet. “Për të shmangur emergjencën nga mungesa e gazit në dimër, duhet të realizohen projektet e tjera që kanë nisur për rritjen e importit të gazit.”
Secili mund të kontribuojë
Klaus Müller theksoi gjithashtu, se edhe në vendet fqinjë duhet të jetë e stabilizuar gjendja dhe konsumi brenda vendit duhet të ulet me të paktën 20 përqind. “Secili mund të kontribuojë.” Duke iu referuar javës së kaluar me rënien rreth 29 përqind të konsumit të gazit në ekonomitë shtëpiake dhe firmat e vogla, ai nënvizoi, se në pjesën më të madhe kjo ka të bëjë me motin e ngrohtë, por kursimi duhet të vazhdojë edhe gjatë dimrit të ftohtë.
Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck këtë javë u shpreh për mbushjen me 95 përqind të depozitave. Nisur nga depozitat gjendja aktualisht është e mirë. “Kjo është një arritje”, tha Habeck në takimin e konstruktorëve të makinerive. „Por kjo arritje është me një çmim shumë të lartë, sepse ky ishte edhe kushti, që industria jo vetëm e kufizoi prodhimin, por pjesërisht edhe e ka ndërprerë atë.” E nuk duhej të ishte kështu.
Sebastian Bleschke nga shoqata e Depozitimit të Gazit Ines u shpreh gjithashtu me optimizëm të përmbajtur. “Pavarësisht depozitave të mbushura dimri do të jetë një sfidë e madhe.” Importet për terminalet e gazit të lëngshëm dhe importet përmes terminaleve ekzistuese në shtetet e tjera të BE-së janë jashtëzakonisht të rëndësishme, tha Bleschke.
“Arësye për çtensionim nuk ka, sepse depozitat mjaftojnë vetëm për dy muaj të dimrit”, tha Malte Küper nga Instituti i Ekonomisë gjermane në Këln (IW). “Varet veçanërisht prej konsumatorëve gjatë periudhës së ngrohjes.” Industria ka reaguar me çmime të larta dhe e ka pakësuar dukshëm muajt e kaluar konsumimin e gazit. Edhe ekonomitë shtëpiake si dhe bizneset e vogla muajt e fundit kanë ngrohur më pak, ndonëse të ftohtit gjatë shtatorit e ka pakësuar kuotën e kursimit.
Në pritje të terminaleve për gazin e lëngshëm
Depozitat e mbushura të gazit, janë vetëm një element që Gjermania të përballojë dimrin pa mungesa. Ndaj furnizuesit e gazit po përpiqen të lidhin kontrata të reja furnizimi për gazin e lëngshëm (LNG), në mënyrë që edhe në muajt e ardhshëm të kompensohet mungesa e furnizimeve ruse. Me ndërrimin e viteve edhe në brigjet gjermane në Detin Baltik do të jenë në dispozicion terminalet për zbarkimin e gazit LNG.
Si do të veprohet më tej?
Në periudhën e ngrohjes pavarësisht të gjtiha përpjekjeve niveli i depozitave do të ulet. Se sa kohë do të mjaftojë gazi gjatë dimrit, Sebastian Bleschke nga shoqata e depozituesve të gazit tha: “Për shkak të mungesës së importeve ruse të gazit, mund të pritet që depozitat që në fund të shkurtit ose në fillim të marsit të jenë pakësuar ndjeshëm.”
Gjatë viteve të kaluara në ditët e ftohta të dimrit në Gjermani deri në 60 përqind e konsumit të gazit është mbuluar prej depozitave vendase.
Në muajt pas fillimit të luftës në Ukrainë Rusia gradualisht i pakësoi furnizimet në Gjermani. Në politikën gjermane bëhej fjalë për “luftë për energjinë”. Aktualisht Gjermania merr gaz nga Norvegjia, Belgjika, Franca, Holanda si dhe në volume të vogla edhe nga Zvicra. Gazi që përdoret në Gjermani ndër të tjera nxirret nga Holanda, Norvegjia, SHBA dhe hapësira arabe./DW
Fraksion.com