AktualitetPolitikëTë fundit

Rama poston foton e Berishës me Metën dhe Bashën: Opozita e rublave, e zhytur më thellë se sa duket në thesin e parave ruse…

Kritikave të opozitës për fjalimin në KiE dhe akuzave në dëm të Kosovës, kryeministri Edi Rama zgjodhi t’i përgjigjet me një foto, ku shfaqen të tre bashkë, Sali Berisha, Ilir Meta e Lulzim Basha, ndërsa në vëmendje risolli financimet ruse në PD.

“Rublat vazhdojnë të flasin mbrapsht në Tiranë, siç folën në 2011 përmes votës KUNDËR Kosovës, e vetë Shqipërisë dhe PRO Rezolutës famëkeqe, që lemerisi botën me shkulësit e organeve shqiptarë! Opozita e rublave është e zhytur shumë më thellë se sa duket në thesin e parave ruse…”

Dy ditë më parë, përpara Këshillit të Europës kryeministri shqiptar përmes toneve të forta kërkoi që vendet perëndimore t’i rrëzojnë akuzat e ngritura ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Fjalimi i Ramës në KiE u kritikua nga Sali Berisha, që e cilësoi fjalimin antishqiptar dhe thikat pas shpine kombit tonë, Kosovës dhe Shqipërisë. “Edi Rama shpalli në Strasburg aktin e madh të tradhtisë kombëtare, duke shpalosur aty tezën antikombëtare të kombit kosovar”, tha Berisha.

 

Fraksion.com