Putin i quan të “papranueshme” kritikat e Macronit për tensionet Armeni-Azerbajxhan
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 14 tetor hodhi poshtë deklaratat e homologut të tij francez, Emmanuel Macron, se Moska po destabilizon procesin e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Bakuja dhe Jerevani janë në konflikt për më shumë se tri dekada lidhur me rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut. Kjo pasi, separatistët e mbështetur nga Armenia morën kontrollin e rajonit që banohet kryesisht nga armenët.
Macron, gjatë një interviste për televizionin France 2, akuzoi Moskën se qëllimshëm ka provokuar përleshjet e fundit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Lideri francez tha se provokimet janë pjesë e përpjekjet për të destabilizuar këtë rajon të brishtë.
“Besoj se këto deklarata tregojnë mungesë të kuptimit të kursit të konfliktit”, tha Putin gjatë takimit me liderët e shteteve të rajonit, që po mbahet në Kazakistan.
Më 13 tetor, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se deklaratat e Macronit ishin “absolutisht të papranueshme”.
Javën e kaluar, Macron së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, u takuan me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinian.
Të dy shtetet zhvilluan një luftë gjashtëjavore më 2020, dhe më pas Rusia ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi, që rezultoi me humbjen e kontrollit të disa pjesëve të rajonit të Nagorno-Karabakut nga Armenia.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Moska ka dislokuar rreth 2.000 trupa në rajon, si pjesë e forcave paqeruajtëse.
Në takimin midis Aliyevit dhe Pashinianit, që u zhvillua në Pragë, autoritetet evropiane thanë se liderët u pajtuan që një mision civil i BE-së të vendosej në kufirin mes shteteve. Në kufi, mbi 200 persona u vranë në luftimet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit që shpërthyen disa javë më parë.
Fraksion.com