Arsenal armësh dhe miliona lekë në shtëpinë e 60-vjeçarit në Cërrik. Policia arreston edhe mikun e tij
Dy persona janë arrestuar në Cërrik për mbajtje dhe prodhim të armëve dhe municioneve.
Gjatë kontrollit në banesën e 60-vjeçarit me iniciale A.B. janë gjetur një armë zjarri kallashnikov, një pistoletë, 6 granata dore, 3280 fishekë pistoletë dhe kallashnikovi, 5 krehra fishekësh, 3.6 kilogramë kanabis, 75 bimë të thata të dyshuara opium.
Gjithashtu, policia ka gjetur 3.760.000 lekë të rinj, 5000 paund dhe 8950 euro, të cilat dyshohet se ky shtetas i ka përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve dhe të trafikimit të armëve.
Ndërkohë, në banesën e 54-vjeçarit me iniciale V. D., që ka miqësi me 60-vjeçarit, është gjetur një armë gjahu dhe 55 fishekë arme gjahu, të cilat shtetasi V. D. i mbante pa leje.
Sipas hetimeve, rezulton se 60-vjeçari ushtronte veprimtari kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në ngarkim të shtetasit A. B., si dhe për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasit V. D.
Fraksion.com