AktualitetNATO/BEPolitikëTë fundit

Takimi i gjashtë i Grupit të Kontaktit, Peleshi: Do të vijojmë ndihmën për Ukrainën

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi mori pjesë në takimin e gjashtë të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën.

Në këtë takim të thirrur nga Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin dhe Shefi i Shtabit të Bashkuar të SHBA-ve, Gjeneral Mark Milley, në selinë e NATO-s në Bruksel, ishin të pranishëm përfaqësues të afro 50 vendeve aleate dhe partnere.

Qëllimi i këtij takimi ishte adresimi i kërkesave të  Ukrainës për kapacitete ushtarake dhe joushtarake të nevojshme për vijimin e reagimit ndaj sulmit të paprovokuar të Rusisë.  Në diskutimet e përfaqësuesve të lartë të shteteve aleate u konfirmua uniteti në mbështetje të Ukrainës.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Niko Peleshi dënoi me forcë të ashtuquajturat referendume ruse për aneksimin e rajoneve të Ukrainës, duke shprehur qëndrimin e Shqipërisë për të mos i njohur kurrë ato. Ministri Peleshi theksoi  se Shqipëria njeh dhe respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.  Ministri Peleshi përmendi kontributin e deritanishëm të qeverisë shqiptare në mbështetje të Ukrainës dhe deklaroi se po punohet për të ofruar ndihmë ushtarake dhe humanitare.

Në këtë takim mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralbrigade Arben Kingji. Takimi i gjashtë i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën u mbajt para takimit dyditor të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s.

 

Fraksion.com