AktualitetBota+Të fundit

Putin: Rusia mbështet rishikimin e parimeve të sistemit financiar global

Rusia mbështet rishikimin e parimeve të sistemit financiar global, deklaroi sot presidenti rus Vladimir Putin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e tij në hapje të Konferencës për Ndërveprim dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA) në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, Putin tha se sistemi financiar botëror që kemi u mundësoi “elitave që tërheqin penjtë” në planetin tonë të jetojnë në kurriz të të tjerëve.

Duke deklaruar se Azia është një rajon ku po shfaqen qendra të reja të pushtetit, Putin tha se kontinenti luan një rol të madh në kalimin drejt një rendi botëror multipolar. “Tani është më se e nevojshme të hiqen të gjitha barrierat e zinxhirëve të furnizimit në botë”, shtoi ai.

Putin nënvizoi përpjekjet e vendit të tij për formimin e një sistemi sigurie të barabartë dhe të pandarë.

Ai theksoi rreziqet e urisë dhe goditjeve në shkallë të gjerë në prapavijën e paqëndrueshmërisë së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve në botë.

Presidenti rus mbërriti në Astana të mërkurën dhe pritet të zhvillojë disa bisedime dypalëshe dhe trepalëshe.

Putin do të marrë pjesë në Këshillin e krerëve të Komunitetit të Shteteve të Pavarura (CIS) dhe në samitin Rusi-Azi Qendrore në Astana.

Ai do të takohet me homologun e tij turk Recep Tayyip Erdoğan, me të cilin mund të diskutojë një mundësi dialogu midis Rusisë dhe vendeve kryesore evropiane si dhe përpjekjet ndërmjetësuese të Türkiye-s në Ukrainë, ku Moska filloi një “operacion special ushtarak” në shkurt.

Gjithashtu pritet të diskutohen edhe çështja e Karabakut me Azerbajxhanin dhe Armeninë si dhe mosmarrëveshjet kufitare mes Kirgistanit dhe Taxhikistanit me krerët e shteteve përkatëse./aa

 

Fraksion.com