Hohmann: Ecuri në luftën kundër korrupsionit, vendime gjyqësore për zyrtarë të lartë
Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Evropian, Christiane Hohmann deklaroi sot se, Shqipëria ka pasur ecuri edhe në luftën kundër korrupsionit.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministren, Belinda Balluku, Hohmann tha se, “në përgjithësi vlerësimi i raportit është që Shqipëria ka vazhduar të ketë në fokus axhendën e reformave të BE-së, pavarësisht sfidave që kanë lindur për të trajtuar të gjitha ato pasoja ekonomike dhe sociale të tronditjes apo shokut të trefishtë, të tërmetit 2019, pandemisë dhe luftës ruse në Ukrainë”.
Sa i përket reformave të BE-së, Hohmann, tha se, “raporti ka vënë në dukje pikërisht vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut për një periudhë të caktuar kohore si edhe faktit që janë miratuar disa ligje me synim përputhjen e plotë me legjislacionin në BE”.
Po ashtu, vijoi Hohmann, “raporti tregon edhe ndryshimet e fundit në strukturën e integrimit në BE me kryenegociatoren në rang ministri shtetëror dhe me burime të tjera shtesë. Po ashtu i bën thirrje qeverisë që me anën e politikave të saj dhe prioriteteve dhe komunikimit të fokusohet fort në avancimin e reformave, në axhendën e reformave së bashku me opozitën dhe me gjithë shoqërinë”.
“Në fushën e sundimit të ligjit raporti jep vlerësimi që vijimi i reformës në drejtësi ka vazhduar, që procesi i vetingut po ashtu ka ecur në mënyrë të qëndrueshme dhe ka dhënë progres apo ecuri të mirë. Në përgjithësi në raport flitet edhe për fushat kyçe që kërkojnë vëmendje të veçantë, në veçanti rritje e eficencës së sistemit të drejtësisë duke përfshirë këtu edhe zbatimin e hartës së re gjyqësore si dhe përmirësimit të trajnimit të magjistratëve”, tha Hohmann.
“Shqipëria ka pasur ecuri edhe në luftën kundër korrupsionit dhe në raport thuhet se gjykata ka dhënë në fakt disa vendime të rëndësishme të formës së prerë për zyrtarë të lartë shtetërorë”, tha Hohmann.
“Në luftën kundër krimit të organizuar bashkëpunimi i fortë dhe i frytshëm me shtetet anëtare të BE-së me EUROPOL-in dhe Eurojust-in ka sjellë rezultate të prekshme”, theksoi Hohmann.
Ambasadorja nënvizoi se, “ka pasur përparim të mirë edhe për sekuestrimin dhe konfiksimin e aseteve dhe kjo gjë duhet të vijojë edhe në të ardhmen. Duhet të vazhdojnë reformat për sundimin e ligjit. Dhe tashmë që të gjitha institucionet ekzistojnë, ajo që lipset është edhe zhvillimi i një bilanci apo një historiku të fortë. Dhe kjo është edhe më e rëndësishme tashmë që Shqipëria ka filluar negociatat e anëtarësimit me BE-në”.
“Dhe siç e dini e negociatat e grupit të temave kryesore dhe themelore që përfshijnë sundimin e ligjit do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit si kapituj”, theksoi Hohmann.
Fraksion.com