AktualitetPolitikëTë fundit

Garo: Rama në KiE turpëroi Shqipërinë dhe dëmtoi Kosovën

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo u shpreh sot se, “fjala e Ramës në KiE, turpëroi Shqipërinë si kryeministër dhe dëmtoi Kosovën si aleat në momentin më delikat të anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës”.

“Edi Rama u nxori dje nostalgjikëve mallin e Enver Hoxhës. Me të njëjtën mbipeshë, të njëjtën stërzgjatje, me gishtin e ngritur lart, madje edhe kostumin e gjerë të udhëheqësit lindor, me mendjen e tij, ai e vuri poshtë ‘kampin kapitalist’.  Duke e ditur se ishte para jurisë europiane, ai u kthye vetë në prokuror dhe në gjykatës. Ai i ‘ktheu tavolinat’ në një akt prej gangsteri politik”, u shpreh Garo në një deklaratë për mediet nga selia e PD.

“Ai turpëroi Shqipërinë si kryeministër dhe dëmtoi Kosovën si aleat, në momentin më delikat të anëtarësimit të saj në Këshillin e Europës”, u shpreh Garo.

“Edi Rama nuk turpëroi vetëm veten. Duke qenë se ai ishte atje si kryeministër i Shqipërisë, bën me turp të gjithë shqiptarët. Nje turpërim i tillë nuk është regjistruar ndonjëherë në kujtesën 73-vjeçare të Këshillit të Europës”, tha Garo.

“E vërteta e hidhur është se ai në Strasburg mbrojti Kosovën si mik i Vuçiçit dhe vetëm si mik i tij. I mundur nga diabeti i pushtetit, Edi Rama, pasi shfryn kundër çdo kritiku në Tiranë, vihet të shajë edhe jurinë në Strasburg. Problemi është se, vendimi i jurisë mund të kthehet kundër Shqipërisë edhe mjerisht, kundër Kosovës”, përfundoi Garo.

 

Fraksion.com