“Fjalimi im u ra si rrufe në qiell të hapur”, përfaqësues të KiE munguan në darkë, Rama: E djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajën të…
Kryeministri Edi Rama reagoi sot pasi disa prej të ftuarve nuk morën pjesë në darkën e shtruar mbrëmë nga misioni i Shqipërisë në Strasburg, pas mbledhjes së Asamblesë së KiE.
“Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg, megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja. E mirëkuptueshme. S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve!”, theksoi Rama.
“Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri”, u shpreh Rama.
“Por është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajën të kundërvihet e të merret me dokrra! Njerëz pa Atdhe. Katran me bojë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, rreth pavërtetësisë së raportit të Dick Marty-t, i cili shërbeu si bazë për ngritjen e Gjykatës speciale të Kosovës, pas pretendimeve se krerët e UÇK ishin të përfshirë në një trafik organesh të robërve serbë të luftës dhe krime të tjera të pagjykuara ndaj tyre, Rama kërkoi nga KiE që të vendosë në vend nderin e vet. Rama i bëri thirrje KiE të rrëzojë akuzat ndaj Kosovës.
Farksion.com