Raporti për Shqipërinë, Varhelyi: Vendi përparim të mirë
Komisionioneri europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi tha sot në Bruksel se Shqipëria ka vijuar të bëjë një përparim të mirë dhe të arrijë rezultate të prekshme në reformat që lidhen me rrugën drejt Bashkimit europian. Këto komente ai i bëri gjatë prezantimit të Paketës së zgjerimit. Dokumenti për Shqipërinë ofron një panoramë të plotë të situatës, me arritjet konkrete dhe pikat e dobëta të vendit. Ai konsideron se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz, ndërsa paralajmëron se nismat për për amnistinë fiskale dhe të ashtuquajturat “pasaporta të arta” rrezikojnë të bien ndesh me normat e Bashkimit europian.
Paketa e zgjerimit për vitin 2022 u miratua fillimisht nga Kolegji i Komisionit europian. Dokumenti i përvitshëm ofron një panoramë të detajuar të situatës së vendeve që kanë nisur tanimë bisedimet, ato që janë kandidate dhe vendet që synojnë të ndjekin po këtë rrugë.
Pak muaj më parë Shqipëria së bashku me Maqedoninë e Veriut morën dritën jeshile për nisjen zyrtare të bisedimeve, një akt që siç u shpreh Komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi përfaqëson një gur kilometrik të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.
Në një distancë të shkurtër kohore nga ky vendim, raporti i sotëm për Shqipërinë, pritej t’i përmbahej toneve vlerësuese në prezantimin e tij. “Shqipëria ka vijuar të bëjë një përparim të mirë dhe të arrijë rezultate të prekshme në reformat që lidhen me Bashkimin europian. Kjo është veçanërisht e vërtetë sa i takon reformës gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë dhe përparimin e procesit të vettingut që ka ecur në mënyrë të qëndrueshme”, u shpreh Komisioneri Varhelyi.
Raporti megjithatë vëren se “procedurat e gjata, dhe një numër i madh i çështjeve të prapambetura vazhdojnë të ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor”, apo se kanë vazhduar “të ngrihen shqetësime rreth përpjekjeve të supozuara për të ndërhyrë dhe ushtruar presion mbi sistemin gjyqësor”.
Komisioneri Varhelyi veçoi gjithashtu në përmbledhjen e shkurtër për Shqipërinë se “vendi ka dëshmuar një shkallë të lartë angazhimi për forcimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Sa i takon luftës kundër korrupsionit Shqipëria rezulton të ketë “njëfarë shkalle përgatitjeje”. Ndërsa vlerësohet se ka patur rezultate, raporti nënvizon se “mbetet i nevojshëm një vullnet më i madh politik” dhe se “pavarësisht disa përparimeve, korrupsioni mbetet një fushë me shqetësim serioz”.
Në të njëjtin nivel konsiderohet të jetë dhe lufta kundër krimit të organizuar ku vihet re “njëfarë përparimi në përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar”. Sipas raportit “përpjekjet gjithashtu duhet të vazhdojnë për të siguruar rritje të ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në nivelet e larta”.
Ndaj Shqipërisë, raporti i komisionit bën parlajmërime të qarta ndaj dy nismave të qeverisë. Lidhur me dhënien e shtetësisë të huajve të pasur që duan të investojnë në vend, ose “pasaportat e arta” Brukseli shprehet se “vendi duhet të heqë dorë nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të paraqiste rreziqe, sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit të krimit të organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me normat e BE-së”.
Po ashtu, Shqipëria paralajmërohet dhe sa i përket nismës tjetër të qeverisë për aministinë fiskale. Sipas raportit, miratimi i saj kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it mund të rrezikojë përparimin në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe kundër pastrimit të parave.
Fusha ku Shqipëria vlerësohet se “nuk ka bërë përparim”, është ajo e lirisë së shprehjes, ku theksohet se “ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës vazhdoi të pengonte pavarësinë e medias dhe cilësinë e gazetarisë”. Sipas raportit, “çdo ndryshim në Ligjin për Media duhet të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe duhet të dorëzohet për konsultim me organizatat e medias”, e po ashtu theksohet se “mbetet e rëndësishme të sigurohet që media të ketë qasje të drejtpërdrejtë dhe transparente në institucionet qeveritare dhe aktivitetet e tyre”.
Farksion.com