AktualitetPolitikëTë fundit

Rama për “Ballkanin e hapur”: Model bashkëjetese paqësore, jo fuçi baruti e Europës

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës se “ne duam ta shohim Ballkanin një model bashkëjetese paqësore dhe jo më një fuçi baruti të Europës”.

“Nisma jonë e re ‘Ballkani i Hapur’ është një përpjekje për të realizuar së brendshmi aspiratat dhe objektivat e Procesit të ngrirë të Berlinit pa asnjë vonesë, pa asnjë ngurrim, në një mënyrë që pasqyron vullnetin dhe vendosmërinë tonë”, tha Rama.

“Është një përpjekje për t’i vënë idealet e integrimit europian në dispozicion të paqes dhe bashkëpunimit përmes lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve, shërbimeve, përmes kulturës, arteve dhe zejeve, përmes nismave të përbashkëta politike dhe duke bashkuar forcat përballë krizave që janë më të mëdha se ne, përmes rezultateve konkrete që mund tu dëshmojmë qytetarëve tanë sesa e pa kuptim është t’u rrimë pas fantazmave të së shkuarës, në një botë ku kufijtë janë gjithnjë e më tepër porozë”, shtoi ai.

Rama tha se “kështu duam ta shohim ne Ballkanin, jo më një fuçi baruti e Europës, por një model bashkëjetese paqësore”.

“Jo më një peng të së shkuarës, por shembull se si mund të ndërtohet një e ardhme e përbashkët. Megjithatë, mënyra se si merremi me të shkuarën është thelbësore, që e gjitha kjo të jetë e mundur. E shkuara nuk është një faqe që mund të shuhet e tëra. Si e thërrasim këtë të shkuar? Çfarë historish rrëfejmë? Cilat të vërteta zgjedhim të vëmë në dukje? Si mendojmë se jemi e si të tjerët na perceptojnë, kanë vlerë jo vetëm për të kuptuar se kush jemi, por edhe për të kuptuar si të angazhohemi me botën, kë të ndjekim, kë të besojmë, kë të bëjmë mik?”, tha ai.

“E për t’iu kthyer analogjive, ka një analogji edhe më të fortë midis Carit që ulet në fronin e Kremlinit e ditëve tona dhe “kasapit”, që mbante pozicionin e komandantit të përgjithshëm të Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Janë dy kombe me të drejtën për të jetuar të lirë, në tokën e tyre, me gjuhën e tyre, me historinë, kulturën e tyre, të përndjekur nga të njëjtët demonë të së shkuarës, maskuar si operacione të posaçme ushtarake dhe ka dy tiranë të dëshpëruar. Një i vdekur e tjetri që luan me vdekjen, duke iu qepur vizioneve të madhështisë të së shkuarës për të manipuluar vetë qytetarët e vetë në një nënshtrim vdekjeprurës. Do t’ju kursej mësimet e historisë, pasi në fund të fundit lloji i historisë që po përmendim këtu, zor se është histori. Është një kujtesë e gjallë tek të gjithë europianët. Të gjithëve ju kujtohet ndikimi shkatërrues i shpërbërjes së Jugosllavisë në fund të luftës së ftohtë”, vijoi Rama.

“Të gjithëve ju kujtohet se si Ballkani Perëndimor, cepi më varfër e më shpërthyes i Europës, luftonte e përpëlitej mes jetës e vdekjes. Te gjithëve ju kujtohet se si dekada tensioni brenda një rajoni të përçarë thellësisht nga etnia, feja, ideologjitë kulminoi në lindjen e 7 vendeve të pavaruara. E të gjithëve ju kujtohet procesi i brishtë i paqes që vijoi, një proces që ashtu siç ngjarjet e fundit në Ukrainë vazhdojnë të na mësojnë çdo ditë, do të ishte marrëzi të merrej i mirëqenë”, tha Kryeministri.

 

Fraksion.com