AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Në Kosovë, operacion i qëllimtë, barbar, ushtarak i spastrimit etnik

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës u shpreh se, në Kosovë u krye një operacion i qëllimtë, barbar, ushtarak i spastrimit etnik.

“Do t’i përqendroj komentet e mia vetëm në një aspekt të kësaj tragjedie njerëzore. Tek kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë, konflikti humanitar në Kosovë. Dekada represioni të ashpër, të përhapur dhe të mirëdokumentuar. Një operacion i qëllimtë, barbar, ushtarak i spastrimit etnik i kryer nga Sllobodan Millosheviç solli si rezultat zhvendosjen e qindra-mijëra civilëve, gjysmë milioni vetëm në Shqipërinë e vogël. Mijëra vdiqën. Rreth 20 mijë gra u përdhunuan, dhe këto janë të dhëna zyrtare nga organizatat ndërkombëtare”, theksoi Rama.

“Ndërkohë që flasim, rreth 1600 persona janë ende të zhdukur. Të gjallët kërkojnë ende të dashurit e tyre. Të vdekurit nuk e kanë gjetur ende paqen e varrit”, vijoi Rama.

“E gjitha përshkallëzoi për dekada të tëra nën hundën e bashkësisë ndërkombëtare. U deshën vite shtypjeje e privimesh që bota të gjente parimet morale dhe të vepronte në përputhje me to. Por ndodhi, falë Zotit, ndodhi. Në vitin 1999, britma e sprasme e Kosovës, e dëshpërimit, nuk mund të shpërfillej më. Beteja e saj për mbijetesë ngjalli keqardhjen botërore dhe valët biblike njerëzore që i iknin kasaphanës vunë në lëvizje botën demokratike me një reagim të vendosur”, u shpreh Rama.

“Komuniteti ndërkombëtar mori përgjegjësi dhe erdhi në ndihmë. Ndërhyrja e parë e plotë ushtarake e NATO-s në tokën evropiane njohu luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që solli si rezultat pavarësinë e vendit pak vite më pas. Drejtësia u vu në vend. Dinjiteti u rivendos. Mund të niste pajtimi, ose të paktën kështu dukej”, tha Rama.

“Lufta është punë e shëmtuar. Është në natyrën e saj që dikush të presupozojë se ka simetri luftëtarësh e të presupozojë se të dyja palët kanë shkaktuar dëme. Por, lufta në Kosovë nuk ishte një luftë e Kosovë. ishte një shfaqje e përgjakshme e një diktature ultranacionaliste në kërthizë të Evropës. Ishte një tubim i ndërgjegjes së Perëndimit demokratik. ishte një thirrje e dëshpëruar nga zemra e Evropës për shpaguar integritetin e bashkësisë ndërkombëtare pas dekadash shpërfilljeje të vuajtjes së miliona civilëve në mbarë botën. Dhe Perëndimi u ngrit në lartësinë e sfidës. Bashkësia ndërkombëtare e gjeti ndërgjegjen e vet. Evropa gjeti busullën e saj morale. Megjithatë, jo shumë më pas, kjo busull humbi. Humbi pikërisht në këtë ndërtesë”, nënvizoi Rama.

“Të njëjtat institucione ndërkombëtare që sollën fundin e luftës në Jugosllavi dhe i dhanë Kosovës të drejtën e lirisë, të paqes, të dinjitetit, minuan vetë veprimet e tyre, vetë parimet e tyre. Ata jo vetëm përfunduan duke vënë në pikëpyetje motivet dhe integritetin e luftës për liri të Kosovës, por gjithashtu përmes veprimeve të tyre presupozuan e hamendësuan se kurrë nuk kishin pasur një të tillë, si ndodhi një gjë e tillë”, theksoi Rama.

 

Farksion.com