AktualitetPolitikëTë fundit

Rama i adresohet Asamblesë së KiE: Të rivihet në vend besimi në institucionet ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës se ka ardhur momenti që besimi në institucionet ndërkombëtare të rivihet në vend.

“Unë përfaqësoj Shqipërinë, por nuk kam ardhur këtu të flas kryesisht për Shqipërinë, edhe pse tema e shqetësimit lidhet me Shqipërinë, si trupi me shpirtin. Megjithatë ia vlen ta nisim me Shqipërinë, pasi ajo që do të them ka lidhje me çështjen e marrëdhënies së një vendi me të shkuarën e vet dhe ndikimin që mund të ketë në zhvillimin e tij në të ardhmen”, tha Rama.

Sipas tij, “ta kthesh një histori konflikti në një histori bashkëpunimi kërkon jo vetëm guxim mes udhëheqësve, por edhe besim të bashkëndarë tek institucionet ndërkombëtare”.

“Marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin ndërmjetësohen nga marrëdhënia jonë me institucionet europiane. Nëse institucionet dështojnë, kjo goditje do të jetë fatale. Për ju lufta është kujtim i largët, për ne një plagë që ende dhemb. Pavarësisht përvojave të ndryshme për luftën, nën ombrellën e madhe të këtij institucioni që e përcakton veten si organizata udhëheqëse në kontinent për të drejtat e njeriut, kujtesa historike nuk mund të merret lehtë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “faktet kurrë nuk duhet të cenohen nga lojërat e pushtetit dhe zgjidhjet duhet ngahera t’i qëndrojnë testit të së ardhmes”.

“Në dekadat e fundit institucionet ndërkombëtare kanë qenë një faktor thelbësor në ndërmjetësimin e konflikteve në Ballkan. Ashtu si të gjitha shtetet e tjera në rajon Shqipëria vijon të ndërtojë të ardhmen ndërsa lufton me trashëgiminë e së shkuarës, të zhvillojë institucione demokratike ndërkohë që përndiqet ende nga fantazmat e autoritarizmit”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se Shqipëria vijon të ndërtojë marrëdhënie solide me fqinjët e saj, përfshi Serbinë, e cila jo shumë kohë më parë konsiderohej armik për vdekje, por tashmë është një partner i rëndësishëm në nismën strategjike të “Ballkanit të hapur”.

“Për ata që hyjnë në kontakt për herë të parë me rajonin është e vështirë të shpjegosh se pse Europa për ne është më shumë sesa një projekt institucional. Është projekt ekzistencial. Asnjëherë më parë historia nuk është treguar e mirë me ne. Kurrë nuk kemi qenë në gjendje të zgjedhim vetë se ku donim të përkisnim. Të tjerët vendosnin për ne, vendosnin perandoritë, regjimet dhe ideologji që na mbajtën të kyçur larg Europës në një vend që vetëquhej ‘fanari ndriçues antiimperialist në botë’, por që në fakt ishte një vrimë e zezë në zemër të Europës”, tha Rama.

“Vetëm 3 dekada më parë, ne patëm mundësinë të ndryshonim lirisht rrjedhën e fatit tonë e t’i kthenim sytë nga horizonti i Europës. Besimi i Shqipërisë në fatin e saj europian është spiranca jonë drejt së ardhmes. Pavarësisht sa shtrëngata a mjegulla has Europa, shqiptarët në tërësi nuk mund të përfytyrojnë asnjë gjë tjetër përveç se të ndiejnë këtë rrugëtim, edhe nëse rezulton të jetë rrugëtim i trazuar. Ndaj ne vazhdojmë të ushqejmë shpresë në brezat e rinj duke e ditur se sa më shumë një krizë si kjo aktualja godet të gjithë Europën, aq më e lehtë është për forcat e frikës të kërcënojnë burimet e shpresës”, tha ai.

Megjithatë Rama u shpreh se është veçanërisht në momente si këto, kur e ardhmja lihet edhe një herë në mëshirë të së shkuarës dhe politikanë mendjengushtë janë të gatshëm ta shfrytëzojnë të shkuarën për të qetësuar frikërat e qytetarëve të tyre për të ardhmen, që çështjet e së vërtetës e drejtësisë ridalin në pah.

“Është në të tilla momente që besimi në institucionet ndërkombëtare duhet rivënë në vend, e duhet forcuar. Është në tilla momente që shtetet e vogla nuk duhen braktisur në mënyrë që shtetet e mëdha të mos kërcënohen nga rezultati i shumatores së mbledhur prej tyre. Në këto 3 dekada të gjata nëse kemi mësuar diçka është se demokracia është gjithnjë një proces në ndërtim dhe jo një ndërtesë e përfunduar, sepse asnjë gjë që nuk arrijmë nuk është e plotë dhe nuk është e pakthyeshme. Dhe asnjë gjë nuk e vërteton këtë gjë më mirë se sa agresioni aktual i Rusisë kundër Ukrainës dhe lufta që vijon në Europë vetëm pak orë larg prej këtej. Ai vend po përndiqet edhe një herë nga e shkuara dhe është një tjetër kujtesë e gjallë për ata prej nesh që ende përndiqen nga e shkuara e tyre se sa lehtësisht mund të manipulohet e shfrytëzohet historia nga forcat e errëta në Ballkan. Ne vijojmë të jemi dhimbshëm të vetëdijshëm për këtë”, tha Rama.

 

Farksion.com