Beogradi thotë se Petkoviqit iu ndalua hyrja në Kosovë
Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, iu ndalua hyrja në Kosovë dhe pjesëmarrja në shugurimin e patriarkut Porfirije në Patriarkanën e Pejës, njoftoi të mërkurën kjo zyrë.
Autoritetet në Kosovë, deri më tash, nuk dhanë ndonjë njoftim.
“Bëhet fjalë për shkelje brutale të marrëveshjes, si të asaj për lirinë e lëvizjes, ashtu edhe të marrëveshjes për vizitat zyrtare, e cila parasheh procedura të thjeshtuara për vizitën në Kosovë e Metohi të kryenegociatorit në dialogun me Prishtinën”, thuhet në njoftim.
Aty, po ashtu, theksohet se kjo është hera e dhjetë që Petkoviqit i ndalohet vizita.
Sipas njoftimit, vizita është paralajmëruar siç duhet, duke respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura.
Përveç pjesëmarrjes në ceremoninë e shugurimit të patriarkut u tha se ishte planifikuar edhe një vizitë në manifestimin “Ditët e Moravisë” në fshatin Kufcë e Epërme të Komunës së Gjilanit.
Në njoftim thuhet se për “shkeljen brutale të marrëveshjes, por edhe mohimin e lirive fetare” do të informohet Brukseli zyrtar, por edhe faktorët tjerë ndërkombëtarë.
Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, do të shugurohet në Manastirin e Patrikanës së Pejës në Kosovë më 14 tetor.
Ky akt kryhet një vit e tetë muaj pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës Ortodokse Serbe.
Patriarkana e Pejës është tradicionalisht vendi ku marrin detyrën patriarkët serbë.
Kisha Ortodokse Serbe njoftoi se patriarku, atë ditë, do të vizitojë Kosovën dhe Patriarkanën e Pejës, ku do të udhëheqë liturgjinë e shenjtë.
Patriarku Porfirije deklaroi në shkurt të vitit 2021, menjëherë pas ngjitjes në fron, se prioritet i parë për të dhe për Kishën do të jenë “serbët e vuajtur në Kosovë, të cilët jetojnë në unitet të pathyeshëm me serbët kudo në botë”.
Fraksion.com