Amnistia fiskale dhe penale, Vjero: Ja kush përfiton dhe kush përjashtohet
Qeveria shqiptare është në bisedime me partnerët ndërkombëtarë për draftligjin për “Amnistinë fiskale dhe penale”, ndërsa pikat më të forta të debatit janë niveli i taksimit si dhe përjashtimet.
Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero në një intervistë për ATSH-në deklaroi se drafti po diskutohet me ekspertë të delegacionit të BE-së, misionin e FMN-së dhe partnerë të tjerë.
Vjero theksoi se nevoja për më tepër të ardhura në buxhet në këto momente kur e gjithë bota po përballet me krizë bëri që draftligji të risillej.
“Janë një sërë arsyesh që kanë shtyrë qeverinë shqiptare për të risjellë në vëmendje p/ligjin “Për amnistinë fiskale”. Para disa muajve u bë një konsultim i gjerë publik në lidhje me disa nisma ku përfshihej edhe Amnistia. Më shumë se 60 % e popullatës u shpreh pro një amnistie fiskale shoqëruar me amnistinë penale. Një tjetër arsye lidhet me likuiditete shtesë në buxhetin e shtetit. Mbarë bota po kalon një periudhë jo të lehtë, ku kemi një stopim të rritjes ekonomike dhe rritje të normave të inflacionit. Norma e inflacionit ishte 8% për Shqipërinë, por ky inflacion do të ishte shumë herë më i lartë në rast se do të kishim një rritje të çmimit të energjisë. Edhe normat e rritjes ekonomike nuk janë ato të projektuara në fillim të vitit, pasi sigurisht ndikohen nga kriza. Ne presim një rritje ekonomike prej 3.2 % këtë vit, ndërsa në vitin në vijim, 2023, pritet të jetë diku te rreth 3.2 % rritja ekonomike”, tha Vjero.
Ndaj, vuri theksin ajo, kërkohet të ketë likuiditet, frymëmarrje për sipërmarrjen, pasi ky është një ligj që i drejtohet sipërmarrjes për të ligjëruar pasuritë.
Deri tani, sipas zv/ministres, qeveria ka mbështetur qytetarët, sipërmarrjen, por edhe sektorë të ndryshëm përmes disa paketave si ajo e ndihmës sociale, për të dalë nga krizat e njëpasnjëshme si tërmeti dhe pandemia. Ndërkohë, vijoi Vjero ka pasur edhe edhe incentiva fiskale.
“Mendojmë që edhe kjo formë do të ndihmojë sipërmarrjen për të ligjësuar pasuritë dhe për të mbledhur disa të ardhura, të cilat gjykojmë se do të jenë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Ne vijmë edhe nga një periudhë e gjatë tranzicioni që lidhet edhe me informalitetin. Dhe ai vijon të jetë prezent. Ky ligj do të adresojë edhe këtë fenomen, por edhe edhe një mundësi më shumë për zhvillimin ekonomik apo rritjen e konsumit, veçanërisht në momentin që ndodhemi”, shprehet Vjero.
Vjero shpjegoi edhe qëndrimet e ndërkombëtarëve lidhur me këtë nismë të qeverisë.
“Shqetësimet e ndërkombëtarëve janë disa, duke nisur nga qartësimi në legjislacion i elementëve që lidhen me taksimin e dyfishtë të të rezidentëve që janë në Shqipëri, apo vend tjetër dhe për mënyrën se si do të ndahet fitimi në rast të ligjësimit të këtyre aktiviteteve. Janë trajtuar me shumë vëmendje çështjet që lidhen me grupet që përjashtohen nga procesi. Përjashtimi është kategorik për ato subjekte apo individ të cilët janë objekt i ligjit “Antimafia”, që kanë siguruar të ardhura nga bota e krimit, apo persona të shënuar si të lidhur me terrorizmin, nëpunës të lartë shtetëror, apo të institucioneve të pavarura, të cilët janë dhe subjekt i deklarimit të të ardhurave të tyre dhe kontrollit të interesave dhe kemi një shtrirje prej 30 viteve”, tha Vjero.
Zëvendësministrja, e cila udhëheq edhe grupin e punës për këtë proces, shpjegoi edhe se në ligj janë përcaktuar qartazi mekanizmat se si do të implementohet.
“Është një ligj i vështirë për t’u implementuar nga strukturat, ndaj do të pasohet me një sërë aktesh nënligjore për t’u zbatuar më së miri. Është përcaktuar që Administrata Tatimore, të jetë struktura përgjegjëse që do të komunikojë me strukturat e tjera ligjzbatuese për të verifikuar çdo aplikim që do të vijë, si nga subjektet që ushtojnë aktivitet ekonomik, ashtu edhe individ që do të aplikojnë për të ligjësuar pasurinë e tyre monetare, gurët e çmuar, vepra arti,etj. Administrata tatimore do të monitorojë këtë proces, duke verifikuar çdo vetëdeklarim, pasi ligji është i bazuar mbi frymën e vetëdeklarimit dhe do të ngarkohen vetë me përgjegjësi në rast vetëdeklarimi të rremë”, u shpreh zv/ministrja Vjero.
Sipas Vjeros, ata që do të duan të përfshihen në këtë proces do të jenë subjekte verifikimi edhe nga Policia, Prokuroria, apo SPAK.
“Neni kryesor, ai i përjashtimeve do të mbështetet me një sërë aktesh shpjeguese e udhëzuese për mënyrën se si do të operojnë strukturat tatimore, por jo vetëm, në mënyrë që të eliminohen hapësirat që elementë apo subjekte të lidhura me krimin e organizuar që mos përfitojnë. Në momentin që Administrata Tatimore merr vetëdeklarimin do të kërkoj informacion lidhur me subjektin apo individin pranë Prokurorisë, Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Me marrjen e përgjigjes që subjekti nuk ka rekord kriminal, administrata tatimore do të lëshojë një vërtetim dhe do ti japë mundësi subjektit të paguajë tatimin e posaçëm. Me këtë pagesë Tatimet kanë edhe 20 ditë kohë për të verifikuar edhe një herë këtë subjekt apo individ para se të lëshojë vërtetimin. Vërtetimi nënkupton edhe ”Amnistinë penale” dhe ruajtjen e kofidencialitetit lidhur me subjektin që ka kryer këtë process”, deklaroi Vjero.
Pikërisht ku draft, theksoi Vjero është prezantuar të partnerët ndërkombëtar.
“Kemi marrë komente dhe shqetësimet e tyre që lidhen me përjashtimet dhe mënyrën se si ky ligj do të garantojë që këto subjekte apo individ të mos kenë mundësi të ligjësojnë pasuritë e tyre. Kemi bërë disa takime në nivel teknik me përfaqësues të Delegacionit të BE-së, të cilët u treguan mbështetës dhe pozitiv. Në takimet në nivel teknik kemi shpjeguar në detaje legjislacionin kemi marrë dhe komentet e tyre lidhur me aspekte të veçanta si nivelin e taksimit, përjashtimet apo shkëmbimin e informacionit, se sa të gatshme janë strukturat tona për të implementuar këtë legjislacion dhe çfarë duhet të përmirësojmë për ta bërë më të thjeshtë“, u shpreh zv/ministrja.
Vjero tha se në takime ka pasur sugjerime apo komente lidhur me normën e taksimit të posaçëm.
“Ka një normë që nis me 7 %, në rast se deklarimi dhe pagesa në bankë bëhet brenda 4-mujorit të parë dhe më tej shkon në 10 %. Qoftë BE edhe FMN në vlerësimet e tyre, një opinion lidhet me normën.Ata gjykojnë se në rast se kjo amnisti do të shkojë përpara duke reflektuar edhe të gjitha shqetësimet e tyre, ndoshta mund të shkojmë në një tatim të posaçëm më të lartë, sepse kemi të bëjmë me subjekte që kanë kryer aktivitet informal, për të inkurajuar edhe ato biznese që kanë qenë të ndershme dhe kanë paguar detyrimet konform legjislacionit në fuqi”, deklaroi zv/ministrja.
Vjora tha se jemi në vijueshmëri të diskutimeve me BE-në dhe struktura të tjera për të pasur një draft sa më të mirë.
“Duam të jemi korrekt me të gjithë partnerët që na kanë asistuar. Për ne e rëndësishme është të kemi legjislacion të pranueshëm prej partnerëve dhe lehtësisht të zbatueshëm për strukturat”, tha ajo.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë hodhi për konsultim publik pranverën e këtij viti drafligjin “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që do të bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”.
Draftligji përfshin legalizim të pasurive ku përfshihen shumat në të holla, pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme, gurë të çmuar, piktura etj.
Subjektet që do të përfitojnë, do të jenë individë, shtetas të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse janë apo jo rezidentë tatimor në Republikën e Shqipërisë, personat fizik dhe juridik edhe këta rezident tatimor në Republikën e Shqipërisë, por edhe individët të cilët mund të mos jenë me nënshtetësi shqiptare, por janë rezident tatimor, pra kryejnë një aktivitet dhe qëndrojnë në Shqipëri më shumë se 182 ditë për të marrë këtë status.
Qeveria hartoi një tjetër draftligj për amnisti fiskale dhe penale në vitin 2020, por e tërhoqi nga Parlamenti me qëllim arritjen e një konsensusi të plotë politik, me grupet e interesit dhe faktorin ndërkombëtar.
Draftligji përcakton se pasuria, e cila do të lejohet të deklarohet vullnetarisht, nuk duhet të kalojë vlerën maksimale të 2 milionë eurove.
Nga ana tjetër, draftligji i ri përcakton një numër të konsiderueshëm subjektesh që janë të përjashtuar, pra nuk kanë të drejtë të regjistrojnë pasuritë e tyre. Dhe janë subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive së bashku me personat që ata kanë në përbërje të tyre familjare duke filluar që nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat, drejtorë, prokurorë, gjyqtarët, apo prefektët, etj.
Nga procesi përjashtohen edhe ato subjekte, të cilat kanë qenë mbajtëse të detyrave apo të funksioneve si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, si dhe subjektet e ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit. /ATSH
Fraksion.com