AktualitetBota+Të fundit

Rritje e madhe e vetëvrasjeve në ushtrinë amerikane

Rritja e nivelit të vetëvrasjeve mes anëtarëve aktivë të shërbimit ushtarak amerikan, ka detyruar Pentagonin të rishikojë protokollet e shëndetit mendor të ushtrisë. Por shumë anëtarë të shërbimit ushtarak që paraqesin probleme të kësaj natyre, druhen të flasin e të pranojnë se kanë nevojë për ndihmë. Dhe atyre që kërkojnë ndihmë, u duhet shpesh të luftojnë me stigmën e rrënjosur thellë mbi çështjet e shëndetit mendor, pengesat burokratike, si dhe me trysninë e brendshme për të qëndruar në punë.

Pentagoni ka krijuar një komision të pavarur për të rishikuar protokollet e shëndetit mendor të ushtrisë si dhe programet e parandalimit të vetëvrasjeve. Në të njëjtën kohë, një rrjet organizatash bamirëse që bashkëpunojnë me ushtrinë, janë përpjekur të plotësojnë mangësitë, duke ofruar një sërë programesh e iniciativash të tjera në terren.

Sipas të dhënave të Departamentit të Mbrojtjes, vetëvrasjet në mesin e anëtarëve të shërbimit ushtarak aktiv u rritën me më shumë se 40% mes viteve 2015 dhe 2020. Shifrat u rritën me 15% vetëm gjatë vitit 2020. Në ato që konsiderohen si pikat e nxehta të vetëvrasjeve sikurse Alaska, ku anëtarët e shërbimit ushtarak dhe familjet e tyre përballen me izolimin ekstrem dhe një klimë të ashpër, shkalla është dyfishuar.

Një studim i vitit 2021 i kryer nga organizata “Cost of War Project” arriti në përfundimin se që nga 11 shtatori 2001, kanë vdekur nga vetëvrasja katër herë më shumë anëtarë të shërbimit ushtarak e veteranë krahasuar me ata që kanë humbur jetën në vatra lufte. Studimi detajoi faktorë sikurse “ekspozimi i lartë ndaj traumave mendore, fizike, morale dhe seksuale, stresi apo ezaurimi mendor, ndikimi i kulturës maskiliste në ushtri, qasja e vazhdueshme tek armët, si dhe vështirësitë për t’u riintegruar në jetën normale si civilë.

Pentagoni nuk iu përgjigj kërkesave të përsëritura për komente mbi këto të dhëna. Por sekretari i Mbrojtjes Austin e ka pranuar publikisht se programet aktuale të Pentagonit mbi shëndetin mendor, përfshirë dhe ekzistenca e një zyre për Parandalimin e Vetëvrasjeve, e krijuar në vitin 2011, kanë rezultuar të pamjaftueshme./VOA

 

Fraksion.com