AktualitetBota+Të fundit

Tre ligjvënës amerikanë paraqesin projektligjin për tërheqjen e trupave nga Arabia Saudite dhe EBA-ja

Tre ligjvënës Demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së prezantuan një legjislacion që kërkon tërheqjen e aseteve kritike ushtarake amerikane të stacionuara në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), raporton Anadolu Agency (AA).

Prezantimi i aktit vjen një ditë pasi Riadi dhe Abu Dhabi mbështetën vendimin e OPEC+ për të ulur prodhimin e naftës në bllok me 2 milionë fuçi në ditë duke filluar nga nëntori. Vendimi pritet të rrisë çmimet e naftës në SHBA, ndërsa Demokratët po shkojnë në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor me shpresat për të ruajtur kontrollin e tyre në të dy dhomat e Kongresit.

Aktualisht ka rreth 5.000 trupa të stacionuara në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe legjislacioni i paraqitur nga Sean Casten, Tom Malinowski dhe Susan Wild do t’i tërhiqte ata nga këto vende së bashku me sistemet kritike të mbrojtjes ajrore, si bateritë e raketave Patriot dhe Sistemi Terminal i Mbrojtjes së Zonës së Lartë (THAAD) 90 ditë nga miratimi i aktit.

Sistemi THAAD dhe bateritë Patriot do të zhvendoseshin “në një lokacion ose lokacione të tjera në Lindjen e Mesme, me misionin prioritar të mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara”, thotë projektligji.

Shtëpia e Bardhë kritikoi ashpër vendimin e OPEC+ të mërkurën, duke thënë se ky është një tregues “i qartë” se blloku po “përafrohet me Rusinë” në një kohë kur Moska po vazhdon ta përshkallëzojë luftën e saj kundër Ukrainës fqinje.

Sponsorët e aktit thanë se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë “mbështetur prej kohësh në praninë ushtarake amerikane në Gjirin Persik për të mbrojtur sigurinë e tyre dhe fushat e naftës” dhe se pas mbështetjes së tyre për veprimin e OPEC+, “ne nuk shohim asnjë arsye pse trupat dhe kontraktorët amerikanë duhet të vazhdojnë t’ua ofrojnë këtë shërbim vendeve që po punojnë në mënyrë aktive kundër nesh”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com