AktualitetLife StyleTë fundit

Misteri: Pasi u arratis në Greqi, Llazar K. nga Narta, u kthye dhe u arrestua nga Sigurimi. Në gjyq te Pallati Kulturës tha…

Nga Vasil Qesari

Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë?

Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!

Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

… Arratisjet nga Vlora, kishin nisur fill mbas ardhjes së komunistëve në pushtet e pastaj, kishin vazhduar pa reshtur në vite. Kështu, aty nga mesi i viteve ’50-të, në qytet qe hapur vetëtimthi lajmi për një tentativë të dështuar arratisje. Ngjarja pat bërë bujë, sidomos mes rinisë shkollore, e cila nuk fliste veç për të. Dy gjimnazistë të shkëlqyer në mësime, por nga familje borgjeze, Dh. Doga e H. Bezhani, në fshehtësi të madhe kishin bërë prej kohësh planet për t’u arratisur me not në bordin e një anije të huaj cisternë.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

Anija vinte shpesh për t’u furnizuar me naftë e qëndronte në radë, as dy-treqind metra larg shkëmbinjve të Ujit të Ftohtë. Por, plani i guximshëm kish dështuar, pak para realizimit. Ndërkohë që djemtë po hiqnin rrobat e po bëheshin gati të futeshin në det, qenë kapur në flagrancë nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Siç u muar vesh më pas, një prej shokëve i kish tradhtuar, pikërisht disa orë para se ata të niseshin drejt shpresës së lirisë…!

Një arratisje tjetër, e cila pat bërë mjaft jehonë, qe edhe ajo e djaloshit Q. Gjonzenelaj, nip i nacionalistit të flaktë e ish-profesorit të njohur të Shkollës Tregtare, Bego Gjonzenelaj. Qamili u arratis teksa kryente shërbimin ushtarak në të ashtuquajturat ‘Brigada të punës’, ku caktoheshin djemtë e familjeve të deklasuara e me biografi të keqe.

Djalë, i rritur buzë detit, në lagjen Skelë, atlet me fizik të fuqishëm, notar i shkëlqyer e rezistent, ia kish dalë mbanë duke e përshkuar me not, distancën midis Ksamilit dhe ishullit të Korfuzit. Por, ngjarja në fjalë, kish qenë njëherësh edhe një goditje tjetër e rendë për gjithë fisin Gjonzenelaj, i cili gjer atëherë kish vuajtur jo pak, burgjeve e internimeve.

Në rrjedhën e viteve, si në mbarë vendin, seria e arratisjeve nga Vlora, qe vazhdimisht një fenomen në rritje. Të izoluar nga shoqëria, të përgjuar hap pas hapi, të kërcënuar nga arrestimet, internimet e burgjet, të drobitur nga persekutimet, pa shpresë për një jetë tjetër, shumë individë, përfundimisht, vendosnin të arratiseshin. Ai vendim, i marrë në rrethana psikologjike krejt të veçanta e, me shumë dëshpërim, në një farë mënyre, qe një tentativë për të shkuar me ndërgjegje, më tepër drejt vdekjes së sigurt, se sa drejt lirisë…!

Në prill të vitit 1968, u arratisën në Greqi, e më pas përfunduan në SHBA-ës, të rinjtë Th. Nikolla e Dh. Dilo. Pak me vonë, ndodhi arratisja e Spiro Gjonit, shofer në Kombinatin e Konservave “Ernest Telman”. Edhe ai, si shumë të tjerë, kish kohë që përgatitej për të venë në jetë planin e menduar. Së bashku me nipin nga Dhërmiu, Spiros i erdhi rasti për ta realizuar atë, gjatë një udhëtimi për në Korçë.

Duke kaluar nga rruga e Këlcyrës e më pas nga ajo e Përmetit, ata qenë ndalur pranë kufirit, në vendin e quajtur Tri Urat. Kishin zbritur aty, në rrjedhën e lumit, gjoja për të mbushur një kanaçe ujë për ftohjen e motorit të makinës. E pastaj, pa marrë parasysh asgjë, as jetën e as vdekjen, qenë sulur përpara. E kishin qëlluar me fat, sepse munden të çajnë drejt lirisë.

Aty nga fillimi i viteve ’70-të, një tjetër tentativë arratisje provokoi një thashethemnajë të madhe në mbarë opinionin publik të Vlorës. Kësaj here, s’bëhej fjalë për një arratisje të zakonshme nga kampi i armiqve, por përkundrazi, nga radhët e kuadrove.

Mbas një karriere të shkurtër, Shyqyri D, dikur ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të qytetit, në fund kish përfunduar zv/drejtor i Fabrikës së Çimentos. Si i tillë, ai shoqëronte një grup specialistësh rumunë, të cilët punonin për montimin e një teleferiku që thuhej se do ta lehtësonte tepër koston e transportit të lëndës së parë, nga gurorja e Shashicës në fabrikë.

Një fundjave, për të zbavitur specialistet e huaj, drejtoria e fabrikës kish organizuar një ekskursion, me itinerar bregdetin e Himarës e qytetet e Sarandës dhe Gjirokastrës. Siç do të mësohej më vonë, kryetari i grupit, Shyqyri D., do ta shfrytëzonte shëtitjen për të realizuar diçka tjetër: arratisjen jashtë vendit. Një mbrëmje, ndërkohë që ndodheshin në Gjirokastër, ai kish dalë vetëm e nuk qe kthyer më në hotel. Të shqetësuar, pjesëtarët e grupit kishin njoftuar policinë, e cila qe venë menjëherë në kërkim të të zhdukurit.

Shyqyri D., duke mos njohur terrenin, ish endur për ditë të tëra maleve. Në fund, qe pikasur nga policia në Malin e Thatë, hipur mbi një pemë, i uritur dhe i nxirë nga sfilitja e të ftohtit. Aso kohe, u dëgjuan shumë variante lidhur me motivet e tentativës së tij për arratisje. Nga autoritetet zyrtare, ngjarja qe kaluar anash e ish cilësuar si lajthitje e veprim prej psikopati. Procesi i tij gjyqësor u zhvillua në Vlorë e, përfundimisht, Shyqyriu e mbylli karrierën me 15 vjet burg, të cilat s’mundi t’i kryejë plotësisht sepse vdiq në burg, më 1983.

…Një natë dimri të vitit 1974, efektivi i Degës së Punëve të Brendshme në Vlorë, u ngrit në alarm të përgjithshëm. Qysh prej disa ditësh, një grup të rinjsh nga Narta qenë zhdukur pa lenë gjurmë e, Këshilli Popullor i fshatit kish njoftuar policinë. Fill pas kësaj u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Ndërkohë, me urdhër nga Tirana, në akset kryesore të rrugëve nacionale u ngritën postë-blloqet si dhe kërkimet pranë zonave kufitare të vendit. Por, qe tepër vonë. Grupi, i përbërë nga katër nartiotë dhe i kryesuar nga Llazar K., kish kaluar kufirin e ndodhej tashmë në Greqi.

Të veshur me rrobat ushtarake të zborit, ata kishin mundur të depërtonin pa renë në sy e pa tërhequr vëmendjen gjer në zonën kufitare të Përmetit, aty ku një prej tyre kish kryer shërbimin ushtarak e njihte mjaft mirë terrenin. Duke u fshehur gjatë ditës nëpër shkurre, e duke udhëtuar vetëm natën, ata kishin arritur në klon.

Pastaj, për të mënjanuar tensionin elektrik dhe sinjalizimin e postës kufitare, për gjithë natën e gjer në agim kishin punuar si të marrë e me një rritëm të jashtëzakonshëm. (Ashtu siç dinë të punojnë vetëm nartiotët). Së fundi, me ndihmën edhe të lopatave xheniere, kishin arritur të hapin një tunel poshtë telave me gjemba të klonit. Në mëngjes, pa rënë drita mirë, grupi i urithëve kish kaluar në tokën asnjanëse, e më pas, në territorin grek…! Por, kjo histori nuk mbaroi me aq!Çudia më e madhe, kish ndodhur mbas një viti.

Atëherë kur, i arratisuri Llazar K. ish kapur nga rojet e kufirit, por kësaj radhe teksa po kalonte nga Greqia për në… Shqipëri. Mbas disa muajsh hetimesh, në Kino-Klubin “Perlat Rexhepi” të Vlorës u organizua një proces gjyqësor publik, ku me lista e ftesa të posaçme qenë thirrur për të marrë pjesë, kuadro e punonjës nga shumë qendra pune e prodhimi. Ata, të cilët kanë qenë të pranishëm në atë proces, tregojnë se Llazar K., ndër të tjera, pat dëshmuar se kish hyrë ilegalisht në Shqipëri i ngarkuar me detyra speciale nga asfalia greke.

Sipas udhëzimeve të saj, misioni i tij ish të binte pikërisht në duart e Sigurimit, të gjykohej, të dënohej e të burgosej. Pas kësaj, pikërisht në burg, ai duhej të kontaktonte me një agjent të burgosur të shërbimeve të fshehta greke, të cilit, duhej t’i komunikonte disa porosi top sekret. Për atë shërbim të çmuar, sipas deponimeve të thëna prej tij në gjyq, fill mbas përmbysjes së pushtetit popullor, (gjë e cila do të ndodhte shumë shpejt), Llazar K., do të shpërblehej, duke u bërë pronar i gjithë tokave të fshatit Nartë.(?!)

Sipas rrëfimit, në aparencë, gjithçka dukej e besueshme. Armiqtë, nuk pushonin së thururi plane, për të minuar ndërtimin e socializmit në Shqipëri duke tentuar të ngrinin në vend rrjete agjenturore. Në fakt, me të pandehurin, ish punuar mjaft mirë. Në ato çka deklaronte, ai s’bënte as gabimin më të vogël.

Leksionet e marra në hetuesi, ishin mësuar përmendësh e deklaroheshin pa luajtur asnjë presje. Por duket se, e vërteta duhet të ketë qenë krejt ndryshe. Ka shumë të ngjarë që vetë Sigurimi, t’a ketë sjellë Llazar K., si pako postale nga jashtë, (apo ndofta t’a ketë shkëmbyer me ndonjë agjent grek të kapur në Shqipëri).

Natyrisht gjithë kjo, kish një mesazh tepër të rëndësishëm. Në mënyrë të veçantë për banorët e fshatit grekofon e plot probleme të Nartës. (Fshat i cili, vazhdimisht i kish sjellë telashe jo të pakta Partisë në rreth e që, ish gjithmonë në qendër të vëmendjes së punës së organeve të Sigurimit). E, jo vetëm për Nartën, por dhe më tej.

Mesazhi, pra, ish më se i qartë. Kushdo, që do tentonte të arratisej, do përfundonte si Llazari, i cili, mbas procesit gjyqësor, u dënua me vdekje me pushkatim. Nisur nga kjo ngjarje, ndofta, dikush mund të bëjë pyetjen: A qe e mundur që, një i arratisur, të rrëmbehej e të kthehej përsëri në vend…?!

Së pari, duhet thënë se, midis Shqipërisë e shteteve fqinj, në periudha të ndryshme kohore, kanë ekzistuar marrëveshje sekrete për kthimin mbrapsht të të arratisurve. I tillë ka qenë, për shembull, akordi i fshehtë me autoritetet jugosllave, të cilët në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit kthyen mjaft të arratisur që përfunduan burgjeve e kampeve të punës. Pikërisht, në atë kuadër, ekzistonin e bëheshin edhe takime të fshehta, për shkëmbime agjentësh të kapur etj.

Së dyti, e vërteta ka qenë se kur ndodhte të arratiseshin individë tepër të rëndësishëm, Sigurimi i ndiqte ata pas kudo që shkonin. Për atë qëllim, në ministrinë e Punëve të Brendshme, sipas disa të dhënave gojore, ka ekzistuar një sektor i veçantë i cili merrej me organizimin e atentateve politikë dhe rrëmbimin e individëve të arratisur.

(Zëra të ndryshëm në Tiranë përcaktonin bile se, Vila e Gjelbër, një ndërtesë misterioze dhe e heshtur diku midis Postës Qendrore të Tiranës e Albimportit, ishte vetë selia e atij sektori tepër sekret i cili organizonte aksionet speciale në fjalë).

Agjentët e Kundërzbulimit shqiptar, të fshehur rëndom nën petkun e diplomatëve të ambasadave, i ndiqnin ata nga pas e këmba-këmbës. Shpesh, për të siguruar ekstradimin e tyre,organizmat speciale të vendeve të huaja, informoheshin me dokumente të falsifikuara nga Kundërzbulimi, ku thuhej se, bie fjala, filan person i arratisur nga Shqipëria, ishte një kriminel ordiner ose edhe agjent i vetë Sigurimit shqiptar.

Rrjedhimisht, nuk kanë qenë të pakët rastet kur, shërbimi i fshehtë ka arritur të ekzekutojë apo të rrëmbejë me aksione speciale, njerëz të tillë e t’i bjerë ata në Shqipëri. Natyrisht që, më i lehtë, pa telashe e me kosto të ulët, ka qenë eliminimi i tyre fizik, aty ku ata ndodheshin. Në vitet ’50-të, me metoda nga më të ndryshmet, janë eliminuar shumë pjesëtarë të mërgatës antikomuniste shqiptare.

Ndërsa, në vitet ’60-të e më pas, sipas dëshmive të një agjenti anonim shqiptar në shtypin e huaj, për atë qëllim janë përdorur pistoleta elektrike të prodhimit sovjetik me silenciator e, në formën e një pakete cigareje e cila godiste me plumba cianuri.

Në vitet ’70-të, u vu në përdorim një aparat tjetër i vogël xhepi, prodhim kinez, i cili mund të hidhte në fytyrën e viktimës një spruco me avuj cianogjenë, të cilët shkaktonin infarkt zemre të menjëhershëm.

(Gjatë autopsisë, s’gjendej asnjë gjurmë avujsh dhe, ekspertiza ligjore konkludonte se, vdekja ish rrjedhim i një infractusi klasik. Me këtë rast, ndër të tjera, i kujtojmë, vdekjen misterioze të sportistit të shquar peshëngritësit, Aleksandër Kondo, i cili u cilësua “i vdekur aksidentalisht”, por që dyshohet të jetë eliminuar nga shërbimet e fshehta shqiptare në SHBA-ës). /Memorie.al

 

Fraksion.com