Mirupafshim në Kishinau!: Komuniteti Politik Evropian përfundoi takimin e parë në Pragë
Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 17 vendeve jo anëtare përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, Britaninë dhe Truqinë, diskutuan të enjten në Pragë të Republikës Çeke sfidat e sigurisë dhe energjisë me të cilat përballet kontinenti që nga agresioni rus në Ukrainë.
Takimi shënoi përurimin e Komunitetit Politik Evropian, një nismë e presidentit francez Emmanuel Macron dhe e mbështetur nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe vuri theksin në izolimin e Rusisë.
“Ne shfaqëm shumë qartë unitetin e 44 udhëheqësve evropianë në dënimin e agresionit rus dhe shprehjen e mbështetjes për Ukrainën”, tha presidenti Macron në një konferencë me gazetarë në përfundim të takimit.
Takimi i radhës pritet të mbahet në Moldavi, fqinjin e vogël të Ukrainës, ndërsa më pas planifikohet të vazhdojë në Spanjë dhe në Britaninë e Madhe.
Por edhe para e madje edhe gjatë takimit, kritikët kanë tërhequr vërejtjen që Komuniteti Politik Evropian të mos shndërrohet në një alternativë për vendet që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, vendi i të cilit mban kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian tha se “nuk duam të zëvendësojmë format ekzistuese të bashkëpunimit. Nuk kemi miratuar asnjë rezolutë zyrtare. Thjesht ndjejmë nevojën për të pasur një hapësirë për shkëmbim joformal të pikëpamjeve mbi ngjarjet e vazhdueshme në Evropë dhe më gjerë”.
Por kritikët janë të shqetësuar një forum kaq i gjerë mund të bëhet pengesë duke pasur parasysh larminë politike e kulturore dhe rivalitetet tradicionale midis shumë prej anëtarëve të këtij forumi nga Armenia dhe Azerbajxhani, te Greqia e Turqia dhe Serbia e Kosova.
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron takuan ndarazi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç për të diskutuar tensionet mes dy vendeve, që synojnë integrimet evropiane, por kusht është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Por Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës që është shpallur me 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore perëndimore dhe llogaritë në mbështetjen e Kremlinit në këtë qëndrim. Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk i ka vënë sanksione Moskës për shkak të agresionit rus në Ukrainë, me gjithë kërkesën e BE-së që të harmonizojë politikat e saj me ato të bllokut.
Të premten, udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë një takim joformal në Pragë në një përpjekje për të zgjidhur dallimet mbi mënyrën e kufizimit të çmimit të gazit për të frenuar çmimet ne rritje të energjisë që kanë rritur inflacionin në të gjithë bllokun.
Ndërkaq kryeministri shqiptar Edi Rama paralajmëroi se ministrat e energjisë të rajonit të Ballkanit pritet që të marrin pjesë ditëve në vijim në “Ministerialin e jashtëzakonshëm që do të zhvillohet po në Pragë, me të gjithë ministrat e energjisë për të trajtuar çështjen e krizës energjetike si një çështje evropiane dhe jo si një çështje thjesht e Bashkimit Evropian”./voa
Fraksion.com