AktualitetEkonomiTë fundit

Kredia bankare ka vijuar të financojë konsumin dhe investimet

Kredia bankare gjatë këtij viti, ka vijuar të financojë konsumin dhe investimet, në reflektim të kërkesës së lartë, të kushteve ende të favorshme të financimit, si dhe të shëndetit të mirë të sektorit bankar.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, trendi pozitiv i kreditimit po mbështet rritjen ekonomike të vendit, teksa kredia për sektorin privat u rrit me 13.7% në muajin gusht 2022 dhe portofoli i kredisë konsumatore u zgjerua me 7%.

Rritja e kreditimit ka vijuar të jetë e pranishme si tek bizneset dhe tek individët, për qëllime investime dhe shpenzimi, si në monedhën lek ashtu edhe në valutë.

BSH-ja bën të ditur se, krahas trendit rritës të kredisë dhe diversifikimit të saj, cilësia e portofolit mbetet e mirë në sajë edhe të treguesit të kredive me probleme, i cili mbetet në nivele të ulëta dhe likuiditetit solid që paraqesin bankat tregtare.

Sipas BSH-së kredia e re e dhënë gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, ishte rreth 24% më e lartë se e njëjta periudhë një vit më parë. Kontributin kryesor në këtë rritje vjetore e ka dhënë kredia e re për biznesin që u rrit me 27%, por edhe ajo për individët që u rrit me 18%.

Kredia e re për biznesin është përdorur kryesisht për qëllime afatshkurtra dhe në valutë. Kredia e re për individët është përdorur kryesisht për blerje banesash dhe konsum të mallrave jo të qëndrueshme, dhe është dhënë kryesisht në lek.

 

Fraksion.com