AktualitetPolitikëTë fundit

Këlliçi: Bllako u çua në shtëpi pasi dha garanci se nuk do të fliste

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi reagoi sot pas vendimit të gjykatës për dënimin me “arrest shtëpie” të ish-deputetit Alqi Bllako.

“Edi Rama e çoi sot në konvaleshencë Alqi Bllakon, pasi u sigurua se nuk do “të këndonte” nga qelia. Deputeti socialist, i përfshirë në aferën e inceneratorëve me këmbët e veta dhe të të atit, por me kokën dhe trurin e Edi Ramës, pas 6 muajve në qeli, sot është dërguar në shtëpi”, tha Këlliçi në një deklaratë nga selia e PD.

“Vetëm pasi ka dhënë garanci se nuk do të fliste dhe t’i prishte punë partisë dhe udhëheqësit. Vetëm pasi kupola ka marrë vendimin për skemën e re që do të ndjekë dhe që përfshin vetëm një ‘kokë turku’, atë të Klodian Zotos”, theksoi Këlliçi.

Ligjërisht, ndryshimi i masës së sigurisë, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpiak” ndodh për një nga këto arsye: i arrestuari nuk përbën rrezik largimi nga vendi; nuk është në pozitë për të prishur provat; ka arsye shëndetësore; nuk ka rrezik të përsëritjes së veprës penale”, u shpreh Këlliçi.

“Gjashtë muaj pas arrestimit me akuzat e “shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit”, gjykatësit kanë vendosur se Bllako nuk përbën rrezik, as për ikje nga vendi, as për prishje provash, dhe as për përsëritje të veprës penale”, shtoi Këlliçi.

“Duke harruar, ose bërë sikur, një element tejet të rëndësishëm: tre bashkëpunëtorë të Bllakos, Mërtiri-Gugallja-Zoto, sot janë ende në kërkim. Po ashtu ata vazhdojnë “ta përsërisin veprën penale” duke marrë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë miliona euro të cilat u derdhen në llogaritë bankare, edhe pse janë në kërkim ndërkombëtar. Ndaj, alibia që gjendet për Bllakon është një farsë. Ashtu siç është farsë edhe i gjithë procesi hetimor i inceneratorëve, i cili nuk prek trungun, por shkund vetëm gjethet. Kokat e aferës janë të lirë dhe vendosin se, kush hyn dhe kush del në burg, kush arratiset dhe kush shpallet në kërkim, apo kush e bën burgun e lehtë nga shtëpia”, tha Këlliçi.

 

Fraksion.com