AktualitetPolitikëTë fundit

E-mail nga PSE për Ilir Metën? Reagon Partia e Lirisë: Nuk kemi kërkuar të jemi në Berlin, e-mail ka ardhur në emër të Ralf Gjonit

Mesditën e sotme në media u publikua një email i ardhur nga adresa e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Europiane Socialiste (PSE), e cila i kishte kërkuar Ilir Metës të mos merrte pjesë në kongresin e kësaj force politike që do të mbahet në 14-15 tetor në Berlin.

Siç shikohet nga emaili, ai ka mbërritur në adresën info@lsi.al.

“I dashur Ilir, Faleminderit për interesin tuaj në Kongresin e PES, që do të mbahet në Berlin në 14-15 tetor. Gjithsesi, si rezultat i vendimit dhe aleancës suaj të fundit politike, ne ju kërkojmë që të mos merrni pjesë në Kongres. Kongresi i PES pret prezantime nga parti progresiste për të shpërndarë vizionin e tyre për politikat Europiane që janë të bazuara në vlerat tona thelbësore, demokracia, liria, barazia, paqja dhe drejtësia”, thuhet në email.

Pas publikimit të tij ka reaguar zyrtarisht edhe Partia e Lirisë, e cila përmes sekretarit të përgjithshëm, Tedi Blushi ka bërë të ditur se Meta nuk ka kërkuar të jetë i ftuar në takimin e Berlinit.

Sa i përket emailit që është publikuar në media, Blushi bëri të ditur se emaili i ka shkuar Ralf Gjonit dhe një adrese false të Monika Kryemadhit, që deputetja de nuk e disponon.

“Ilir Meta as ka kërkuar të shkojë i ftuar diku në Berlin dhe as ka kërkuar ndonjë ftesë se ka punë shumë të rëndësishme në Shqipëri! Email që pretendohet nuk është çuar në adresën e Partisë së Lirisë, por në adresën info@lsi.al, në email të Ralf Gjonit dhe adresën fake të Monika Kryemadhit, që nuk ekziston: monika.kryemadhi@gmail.com”, shkruan Blushi.

Sipas Partisë së Lirisë, autorët e këtij emaili nëse pretendojnë që ai është i vërtetë, duhet të tregojnë emrin e “gjermanit” që e ka servirur, “i cili me siguri duhet të jetë ndonjë nga ata qejflinjtë e eurove që financohen me fondet e kartelit Sinaloa!”.

 

Fraksion.com