AktualitetTë fundit

Biljana Braithwaite: Shkolla e Magjistraturës, partneri ynë për drejtësi më të mirë

Drejtori i Qendrës AIRE për Ballkanin Perëndimor, Biljana Braithwaite, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve gjyqësore dhe institucioneve që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar.

Në qendër të vizitës ishte takimi i znj. Braithwaite me Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, me të cilin ajo diskutoi për zgjerimin e bashkëpunimit dhe mësimet e nxjerra nga bashkëpunimi i deritanishëm.

Në kuadër të programit për 25 vjetorin e krijimit të Shkollës së Magjistraturës,  Rakipi dhe  Braithwaite, së bashku me përfaqësues të qendrave të trajnimit gjyqësor nga rajoni, diskutuan mbi ecurinë e bashkëpunimit mes këtyre institucioneve.

“Qendra AIRE është mirënjohëse për partneritetin e vazhdueshëm me Shkollën e Magjistraturës së Shqipërisë dhe së bashku realizojmë projekte për edukimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky bashkëpunim ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për aspektin rajonal, duke qenë se së bashku kemi hapur derën e bashkëpunimit rajonal të qendrave të trajnimit, kemi krijuar një bazë për shkëmbimin e praktikave të mira dhe kemi lidhur ekspertët nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Përmes Gender Champions in Judiciary Network (Kampionëve Gjinorë në Rrjetin Gjyqësor), ne kemi krijuar një kornizë për konkretizimin e këtij partneriteti nëpërmjet një teme specifike, të cilën do të mund ta përdorim si shembull të rrjetit për tema të tjera të rëndësishme për gjyqësorin”, tha Braithwaite.

Aktivitetet e Qendrës AIRE në Shqipëri dhe rajon mbështeten nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe kjo organizatë njihet për bashkëpunimin e saj cilësor me institucionet gjyqësore në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Drejtorja Braithwaite vuri në dukje se progresi i Shqipërisë njihet në arenën ndërkombëtare, por se proceset reformuese duhet të vazhdojnë.

“Shqipëria, në shumë segmente të luftës kundër krimit dhe zhvillimin e mekanizmave të rinj, si nëpërmjet zgjidhjeve ligjore, ashtu edhe nëpërmjet përmirësimit të efikasitetit të institucioneve, mund të përfaqësojë një shembull të praktikës së mirë për juridiksionet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë vetëm në fillim të proceseve të rëndësishme të reformës në drejtësi në kuadrin e anëtarësimit në BE. Megjithatë, edhe këtu kemi ende shumë punë përpara për të rikthyer besimin e qytetarëve te të dyja gjinitë në gjyqësor. Ne po punojmë së bashku për të mbrojtur barazinë gjinore, së bashku kemi bërë hapa të rëndësishëm në temat e kthimit të pasurive dhe administrimin e pasurive të sekuestruara/konfiskuara. Ne do të mbetemi partner i institucioneve në Shqipëri për të ecur përpara edhe në fusha të tjera”, përfundoi Braithwaite.

 

Fraksion.com