AktualitetPolitikëTë fundit

Veliaj: Socialistët do t’i fitojnë të pesta bashkitë në qarkun e Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi reformën territoriale, e cila sipas tij, i dha mundësi edhe zonave më të largëta që të përfitojnë nga investimet e rëndësishme, që më parë do të ishin të pamundura.

Në një intervistë televizive, Veliaj i cilësoi qesharake propozimet e opozitës në lidhje me ndarjen e Tiranës dhe krijimin e disa bashkive të reja.

Veliaj theksoi se propozimet e opozitës lidhen vetëm me interesat e tyre të ngushta për të përfituar.

“I kam dëgjuar, por për një njeri që ka dy pare mënd ne koke kjo është një gallatë e madhe, po edhe bajate. Do me thënë, të thuash që të bëjmë bashki më vete Dajtin, Farkën dhe Kasharin, dhe ta rrethojmë Tiranën me 3 bashki dhe pastaj të vazhdojë prapë Tirana, në Zall-Herr, në Zall-Bastar, në Krrabë, në Ndroq dhe në Vaqarr. Po thonë disa gjëra që nuk kanë pikë logjike. Pra të kemi një Bashki të Tiranës, të rrethohet nga bashki të tjera dhe pastaj të vazhdojë prapë Bashkia e Tiranës. Një njeri mjafton të lexojë kaq dhe të kuptojë që ose nuk kanë qenë esëll ata që kanë punuar në këtë komision, ose këta thjesht tallen me njerëzit për t’i thënë partisë që shiko, po nxjerrim disa bashki ku mund të kapim diçka më shumë, që kur të bëhet ai bilanci dhe kur të ngjyroset harta në fund të zgjedhjeve lokale të dalin dhe disa nga ngjyra jonë. Po që kjo është jo vetëm profesioniste, po një tallje e madhe. Mjafton të shohësh propozimin që është bërë për Tiranën për të kuptuar se kjo është thellësisht qesharake dhe i fyen inteligjencën kujtdo njeriu me dy pare mend”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj nënvizoi se banorët e njësive administrative që sot janë bashkuar me Tiranën jetojnë shumë herë më mirë se më parë falë investimeve që kanë marrë nga Bashkia e madhe.

“E kupton çfarë do të thotë Krraba që të jemi më vete? Do të thotë që Krraba nuk do ta kishte bërë dot kurrë rrugën nga Lapidari deri tek qendra e Krrabës. Të dali Zall-Herri sot më vete, do të thotë që Zall-Herri rrugën e Çekrezit, Kasallës dhe gjithë furnizimin me ujë – qe deri dje e kishte me puse, por sot e merr direkt nga Bovilla – ta bëjë vetë. E dini çfarë do të thotë të dali Farka më vete? Që ne t’i kthehemi prapë pushtimit të gjysmës së liqenit që sapo e liruam. Ju kujtohet që para 7 vitesh gjysma e liqenit Artificial ka qenë sulmi i parë? Meqë më thatë pse sulmohem. Jo po pse do t’i zhvendosësh romet? Sot romët jetojnë më mirë tek banesat sociale, por ama liqeni ka fituar. Sot te liqeni ndodh “Sunny Hill” dhe sot liqeni është pjesë e itinerarit të certifikuar nga Federata Europiane e Atletikës për maratonë ku vijnë dhe të huaj. Pra t’i kthehemi prapë atyre historive nga të cilat mezi shpëtuam, do të thotë që ose ti s’ke memorie, ose nuk je esëll, ose ke vendosur të tallesh me njerëzit dhe t’i thuash kryeqytetit të të rrethoj me tre bashki të tjera dhe pastaj vazhdo t’i prapë në Zall-Bastar. S’ka logjikë. Rruga e Zall-Bastarit nga “Rruga e Arbrit”, nuk do të ishte bërë kurrë. Pra me taksat e Krrabës, Zall-Bastarit dhe Zall-Herrit duhet 60-70 vite për të bërë atë lloj infrastrukture. Sot Tirana vërtetë takson shumë fort, dhjetëfish ndërtuesit, zhvilluesit, oligarkët, quajini si të doni, pra të pasurit, por ama me ato para bën shkolla si “Sami Frashëri”, por çon edhe rrugë si Zall-Bastari”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shprehet i bindur se socialistët do t’i fitojnë të pesta bashkitë në qarkun e Tiranës.

Veliaj tha se oferta e Sali Berishës dhe e Ilir Metës nuk vlen më në vitin 2022.

“Ajo që kam ndarë edhe në diskutimin me kryeministrin, është që ne duhet të fitojmë patjetër 5-0, gjithë qarkun. Unë nuk besoj që oferta e Sali Berishës dhe Ilir Metës vlen për vitin 2022. A e kishin ata Tiranën? Pra ishin bashkë në koalicion, ishte Lulzim Basha kryetar bashkie, Petrit Vasili dhe Jorida Tabaku ishin nënkryetarët. Se njerëzit harrojnë. Ndonjëherë njerëzit vijën te kjo zyrë dhe thonë – “Ky është ai kolltuku ku ka fjetur?”. Kështu që ne e kemi provuar çfarë malli janë ata kur janë sjellë”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë komentoi dhe përçarjen brenda PD-së. “Ato janë muhabetet e tyre. Do me thënë, rrobat e palara të shtëpisë së tyre, t’i lajnë vetë. Por, ajo që jam duke thënë është: Ne i kemi provuar ata. Tani kur ti shikon Kryetaren e LSI-së që varet te “Sami Frashëri”, nënkryetaren e PD-së që varet te “Sami Frashëri”, që ka dalë një supershkollë, më e mirë se shumica e hoteleve me 5 yje, dhe kur ti bën gjëra të tilla, saboton çdo projekt, do të thotë që t’i ke humbur realitetin”, tha Veliaj.

 

Fraksion.com