Paralajmërimi: Situata e paprecedentë, evropianët të bëhen gati për ndërprerje totale
BE-ja përballet me “rreziqe të paprecedentë” të mungesës së gazit këtë dimër pasi Rusia anuloi shumicën e dërgesave në mesin e luftës në Ukrainë, bëri të ditur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.
Grupi me bazë në Paris tha se pronarët e shtëpive duhet të reduktojnë termostatet në kuadër të masave urgjente të kursimit të energjisë për të ndihmuar në uljen e përdorimit të gazit në Evropë me 13%, në përgatitje për një ndërprerje totale të gazit.
“Mbyllja e plotë e furnizimeve me gaz rus në Bashkimin Evropian nuk mund të përjashtohet përpara sezonit të ngrohjes 2022/23 – kur tregu evropian i gazit është më i prekshëm”, shkroi Agjencia në raportin e saj tremujor të gazit të hënën.
BE duhet të përqëndrohet në rritjen e niveleve të rezervës nëntokësore të gazit në 90% të kapacitetit në rast të një mbylljeje të plotë të furnizimit rus. Rezerva e BE-së është aktualisht rreth 88% e kapacitetit – mbi objektivin e saj prej 80%.
Raporti gjithashtu paralajmëron Evropën se duhet të sigurojë që rezervat e gazit të mos bien nën 33% këtë dimër, në mënyrë që të ketë energji të mjaftueshme nëse ka një periudhë të papritur moti të ftohtë.
Masat e kursimit të energjisë shtëpiake – duke përfshirë uljen e termostateve me 1°C dhe uljen e temperaturave të boilerëve – do të ndihmonin në rritjen e niveleve të ruajtjes së gazit në Evropë, tha Agjencia.
Këto masa duhet të koordinohen me minimizimin e djegies së gazit në sektorin energjetik dhe uljen e përdorimit të gazit në ndërtesa, tha grupi.
“Analiza jonë tregon se mbajtja e niveleve të përshtatshme të rezervave deri në fund të sezonit të ngrohjes — në 33% të kapacitetit të tyre si minimum – do të jetë vendimtare për një dimër të sigurt,” shkruhet në raport.
“Nivelet e rezervave nën këtë prag dimri mund të mos jenë të mjaftueshme për të përballuar një periudhë të ftohtë që ndodh në fund të sezonit, e ngjashme me atë me të cilën u përball Europa në mars 2018.”
Shkurtimet e gazit rus
Vetëm një sasi e vogl gazi rus po rrjedh ende në tubacionet përmes Ukrainës në Sllovaki dhe përmes Detit të Zi e Turqisë në Bullgari. Dy rrugë të tjera, nën Detin Baltik për në Gjermani dhe përmes Bjellorusisë dhe Polonisë, janë mbyllur.
Udhëheqësit evropianë thonë se ulja e gazit rus është shantazh që synon të ushtrojë presion mbi qeveritë për mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe sanksionet kundër Moskës.
Gazsjellësi Nord Stream 1, i cili transporton gaz nga Rusia në Evropë, u mbyll për një kohë të pacaktuar përpara se të zbuloheshin një numër rrjedhjesh në Detin Baltik.
Tubacioni nënujor u dëmtua nga shpërthimet nënujore që qeveritë evropiane thonë se janë sabotazh. Rusia ka mohuar çdo përgjegjësi.
Rrjedhje u gjetën gjithashtu në gazsjellësin Nord Stream 2, i cili duhej të vihej në funksionim këtë vit, por nuk u bë kurrë pasi Gjermania refuzoi ta çertifikonte.
Moska ka lënë të kuptohet se do të ndërpresë atë që ka mbetur nga furnizimet e saj me gaz natyror në Evropë.
Të martën e kaluar, Gazprom, kompania shtetërore ruse e energjisë, tha se mund të vendosë sanksione ndaj kompanisë shtetërore të gazit të Ukrainës për një mosmarrëveshje ligjore, e cila ka të ngjarë të rezultojë në ndërprerjen e furnizimeve.
Qeveritë dhe bizneset evropiane kanë kompensuar pjesën më të madhe të mungesës së gazit rus duke blerë furnizime të shtrenjta të gazit natyror të lëngshëm, i cili vjen me anije nga vende të tilla si SHBA dhe Katari.
Ata kanë siguruar gjithashtu furnizim shtesë me tubacione nga Norvegjia dhe Azerbajxhani.
Të shtunën, Bullgaria hapi një lidhje gazi natyror me Greqinë që u përshëndet nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Ky tubacion ndryshon situatën e sigurisë energjetike për Evropën. Ky projekt do të thotë liri”, tha von der Leyen.
Komisioni Evropian ka premtuar alokimin e rreth 250 milionë eurove për financimin e projektit, shtoi ajo.
Dimri i Evropës
Javën e kaluar, ministrat e energjisë të BE miratuan një paketë masash emergjente për të frenuar rritjen e faturave të energjisë elektrike dhe për të koordinuar përgjigjet e shteteve anëtare ndaj krizës energjetike.
Paketa, e negociuar në më pak se një muaj, përfshin kursime të detyrueshme të energjisë, një kufi mbi të ardhurat shtesë të tregut dhe një taksë për të kapur fitimet e tepërta të korporatave.
Marrëveshja erdhi pasi inflacioni në eurozonë arriti në shifra dyshifrore – 10% – për herë të parë në historinë e monedhës së përbashkët, i nxitur kryesisht nga rritja e faturave të energjisë.
Të tre masat janë të kufizuara në kohë dhe mbulojnë:
Një plan në mbarë BE-në për kursime të energjisë: një objektiv i detyrueshëm prej 5% gjatë orëve të pikut, kur gazi luan një rol më të madh në përcaktimin e çmimeve dhe një reduktim vullnetar prej 10% në kërkesën e përgjithshme për energji elektrike.
Tavan mbi të ardhurat e tepërta të nxjerra nga termocentralet që nuk përdorin gaz për të prodhuar energji elektrike, si energjia diellore, e erës, bërthamore, hidrocentralet dhe qymyri. Tavani do të jetë uniform dhe do të vendoset në 180 € për megavat-orë. Të gjitha të ardhurat që tejkalojnë barrierën do të mblidhen nga qeveritë.
Një mekanizëm solidariteti për të kufizuar pjesërisht fitimet e tepërta të realizuara nga kompanitë e lëndëve djegëse fosile (naftë bruto, gaz, qymyr dhe rafineri). Autoritetet do të jenë në gjendje të vendosin një taksë prej 33% mbi fitimet e realizuara nga këto kompani në vitin fiskal 2022 – por vetëm nëse fitimet përfaqësojnë një rritje prej 20% krahasuar me mesataren që nga viti 2018. /euronews
Fraksion.com