AktualitetKosovaTë fundit

Anketa: Bie përkrahja për Bashkimin Evropian në Kosovë

Dy hulumtime që janë publikuar gjatë këtij viti tregojnë se banorët e Kosovës janë duke e humbur besimin tek Bashkimi Evropian. Ekspertët thonë se kjo nuk është aspak befasuese, duke marrë parasysh faktin që katër vjet pasi Kosova zyrtarisht ka përmbushur të gjitha kushtet vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ballkan pa liberalizim të vizave me zonën Shengen. Më 13 tetor Këshilli i BE-së e ka futur në rend dite këtë çështje, mirëpo ekspertët thonë se ka edhe arsye tjera, pse jo vetëm pakënaqësia me BE-në po rritet, por edhe ndjesia se Brukseli është i anshëm ndaj Kosovës. Kolegu Artan Haraqija sjell detajet.

Sipas një hulumtimi të fundit 64% e të anketuarve në Kosovë besojnë se BE-ja dhe EULEX-i janë të anshëm.

Sipas të njejtës anketë, vetëm 42% kanë qëndrim pozitiv për BE-në

Në një kohë që 94% e të anketuarve thonë se janë të kënaqur me punën e NATO-s.

Cameron Mailhot, autor i hulumtimit me 1600 banorë të Kosovës, i cili është duke kryer studimet e doktoraturës në Universitetin Cornell në Nju Jork, thotë se mes shqiptarëve vihet re një ndjenjë se BE-ja ka pritje pro-serbe.

“Pyetësori nuk kishte pyetje konkrete nëse BE-ja është anti-shqiptare apo pro-serbe, por të dhënat flasin për pakënaqësi në rritje në Kosovë ndaj BE-së, misionit të saj EULEX-it dhe kjo viher re lehtësisht me mënyrën se si shprehën njerëzit atje. Për shembull në Kosovë sheh parulla gjithandej si ajo që thotë se EULEX-i është prodhim i Serbisë”, thotë zoti Mailhot.

Përpos tij, edhe një hulumtim i Institutit Republikan Ndërkombëtar, i publikuar në fillim të këtij viti, tregon se për dallim nga viti 2020, kur 85% e të anketuarve kanë thënë se politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë vetëm pro BE-së dhe perëndimit, në vitin 2022, kjo shifër ka rënë në 77%.

Ish Drejtori për Ballkanin Perëndimor tek Komisioni Evropian, nga viti 2006 deri më 2013, Pierre Mirel, thotë se një nga arsyet e qarta është mosnjohja e Kosovës nga pesë vende të BE-së: Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.

“Banorët në Kosovë mendojnë se fakti që 5 vende nuk e njohin Kosovën, kjo e bën BE-në të anshme ndaj Serbisë në shumë çështje. Këto 5 vende thonë që do ta ndryshonin qëndrimin nëse Sërbia do ta njihte Kosovës”, tha Pierre Mirel, ish Drejtor për Ballkanin tek Komisioni Evropian.

Ky perceptim në Kosovë ushqehet edhe më tej nga fakti se dy zyrtartët e lartë të BE-së, që drejtojnë sot dialogun me Serbinë, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, vijnë nga qeveri që nuk e kanë njohur Kosovën. Por zoti Mirel thotë se kjo nuk është e drejtë.

“Ndoshta kjo është përshtypja e popullit të Kosovës, por është e gabuar. Të marrim rastin tim, kur punoja në Komisionin Evropian. Unë jam francez dhe në rastin ta zëmë, kur autoritetet franceze kanë pasur vështirësi në lidhje me njëren apo tjetrën çështje në Ballkan, atëherë roli im, apo detyra ime ishte që të flisja me ta dhe të bëja përpjekje ppër të gjetur një zgjidhje”, thotë për Zërin e Amerikës Pierre Mirel.

“Dhe, nëse dështoja, kjo padyshim nuk kishte të bënte me faktin që unë jam francez. Nga pervoja ime ju them që kjo nuk ka ndikim.”

Profesori i Universitetit Georgetown në Uashington, Elton Skëndaj thotë se arsyeja për paknaqësinë ndaj BE-së në Kosovë, është mënyra se si funksionon EULEX-i.

“EULEX-i mbetet neutral ndaj statusit të Kosovës, ndonëse këtu ekziston një paradoks, që edhe studiuesit e kanë parasysh: EULEX-i duhet të punojë me vetë ato institucione, që përbëjnë bazën e shtetit të pavarur të Kosovës. Mendoj se kjo paqartësi përplaset me qëllimet dhe dëshirat e popullatës shqiptare të Kosovës”, tha për Zërin e Amerikës, Elton Skëndaj dhe shton se paknaqësia në Kosovë me EULEX-in rritet edhe nga pritjet e mëdha që banorët kanë pasur në zgjidhjen e problemeve të trasheguara nga misioni i OKB-së, UNMIK-u, lidhur me sundimin e ligjit dhe trajtimin e krimeve të luftës.

Shumë zyrtarë të lartë në Kosovë nuk e kanë fshehur dëshirën që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol më të madh, për të arritur një zgjidhje përfundimtare me Serbinë. Kjo pasqyron në një farë mënyre mungesën e besimit tek BE-ja, si ndërmjetësuese.

“BE-ja luan rol vërtetë të rëndësishëm si ndërmjetësues në Kosovë në raport me lidhjet me Serbinë dhe në raport me komunitetin ndërkombëtar. Pra, që të ketë mundësi ta luajë rolin e ndërmjetësit, ka rëndësi mënyra se si e shohin njerëzit në atë vend rolin e saj dhe nëse e konsiderojnë atë si aktor të anshëm apo të paanshëm. Kjo ka rëndësi, pasi ekziston një grup i madh banorësh, që e shohin si të anshme dhe dy-të-tretat nuk është një grup i vogël”, vlerëson autori i hulumtimit Cameron Mailhott.

Por, për ish Drejtorin për Ballkanin Perëndimor tek Komisioni Evropian, Pierre Mirel ka arsye për optimizëm.

“Deri më tani BE-ja nuk ka kërkuar njohje. BE-ja thotë që Serbia duhet të pranojë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Kosovën, që do të lejonte normalizim të plotë të marrëdhënieve. Nëse kjo do të ndodhë dhe nuk ndodhë njohja, atëherë unë nuk mendoj që Serbisë do të lejohej t’i bashkohej BE-së”, tha për Zërin e Amerikës zoti Mirel.

Ai kujton se vendi më me ndikim në BE, Gjermania së fundmi e bëri të qartë se njohja do të ishte rruga e Serbisë drejtë anëtarësimit.

Është e qartë se një marrëveshje përfundimtare duhet të sqarojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse nuk mund të mendohet që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen anëtarë të BE-së”, tha zoti Scholz gjatë qëndrimit në Prishtinë më 10 qershor.

Kjo duket se erdhi si e papritur për Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç i cili disa orë pas kësaj deklarate u takua kancelarin gjerman në Beograd.

“Ne dëgjuam sot se ka kërkesë për njohje reciproke. Asnjëherë më parë nuk kemi dëgjuar dikë në Evropë të bëjnë thirrje për njohje reciproke. Askush nuk ka folur ndonjëherë për njohje reciproke, përveç amerikanëve, që e miratuan këtë doktrinë tre vjet më parë”, tha në Beograd presidenti serb, Vuçiç.

Qëndrimet e ShBA-ve dhe BE-së ndaj pavarësisë, pasqyrohet edhe nëpër anketa, kur mendimi për Shtetet e Bashkuara ka qënë vazhdimisht pozitiv, për shkak të mbështetjes së palëkundur pro shtetësisë së Kosovës, kundrejt përshtypjeve, ndonjëherë edhe të gabuara ndaj BE-së, për shkak të pozicionit të saj neutral ndaj pavarësisë.

Sipas hulumtimit të Institutit Republikan Ndërkombëtar, shumica absolute e të intervistuarve në vitin 2022 në Kosovë besonin që SHBA është donatori më i madh i huaj, ndëkohë që donatori më i madh i huaj është Bashkimi Evropian me rreth 1.5 miliardë euro të investuara nga viti 2007 deri më 2020, sipas të dhënave zyrtare të BE-së.

Ekspertët gjithashtu vlerësojnë se megjithë pakënaqësinë me BE-në, një fakt i rëndësishëm mbetet i pandryshuar.

“Nëse do e bëje një hulumtim ku do pyesje a dëshironi liberalizim vizash dhe t’i bashkoheni BE-së, unë iu garantoj që mbi 90% do thonin po. Po, ka njerëz që nuk janë të kënaqur ndërsa ata mendojnë pse BE-ja nuk ka bërë aq sa duhet për të ndihmuar duke e pasur parasysh që është donator më i madh?” vlerëson për Zërin e Amerikës, profesori Elton Skëndaj.

Por, arsyeja kryesore për fajësimin e BE-së është mos liberalizimi i vizave. Ky proces nisi në qershor 2012, kur Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizim vizash me më shumë kushte, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.

“Jam shumë i kënaqur të njoftoj për propozimin tonë për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës”, njoftonte në maj të vitit 2016 Komisioneri Evropian për Migrim, Dimitris Avramopoulos, në prani të ministrit të brendshëm të Kosovës, Skënder Hyseni në Bruksel.

Kosova, deri në miratimin e propozimit duhej të ratifikonte marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe të arrinte rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Një ditë më pas, kryediplomatja e BE-së, Federica Mogherini në fjalimin e mbajtur në Parlamentin e Kosovës foli e gëzuar për lajmin.

“Sot nuk është ditë vetëm për të festuar, por sot është ditë për të parë drejt të ardhmes sonë të përbashkët”, tha zonja Mogherini në Prishtinë më 5 maj 2016.

Por, festa nuk zgjati dhe u deshën edhe dy vjet të tjera derisa Komisioni Evropian bëri rekomandimin përfundimtar për liberalizim vizash për Kosovën.

“Ne mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim e vizave. Nuk ka qenë e lehtë, e dimë këtë”, tha Komisioneri Avramopoulos.

Në shtator të vitit 2018 Parlamenti Evropian votoi pro nisjes së negociatave të brendshme për këtë çështje.

“Kredibiliteti i Parlamentit është jo pak në rrezik. Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim vizash. Unë ju kërkojqë të votoni pro. Qytetarët e Kosovës e meritojnë këtë”, tha para euro deputetëve raportuesja e Parlamentit Evropian për Liberalizim Vizash, Tanja Fajon.

“Vizat do të duhej të ishin liberalizuar deri më tash. Ky vendim nuk është marrë për shkak se disa vende anëtare e kanë kundërshtuar pasi kishin vlerësim ndryshe në lidhje me përmbushjen e kushteve nga Kosova. Prandaj, kjo çështje është bllokuar prej katër vjetësh. Unë e kuptoj që qytetarët e Kosovës e konsiderojnë këtë si diskriminim”, tha për Zërin e Amerikës, Pierre Mirel, ish Drejtori për Ballkanin tek Komisioni Evropian.

Më 13 tetor Këshilli i BE-së, me propozimin e Çekisë e ka futur në rend dite diskutimin e kësaj çështjeje, por deri tek udhëtimi pa viza kërkohen edhe një mori procedurash dhe votimesh brenda strukturave të BE-së:

  • Procesi mund të ecë para nëse Ambasadorët e BE-së votojnë pro nisjes së negociatave brenda bllokut evropian.
  • Nëse kjo fazë kalohet, atëherë fillojnë diskutimet mes tre shtyllave të bllokut: Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit Evropian.
  • Nëse arrihet marrëveshje, atëherë ajo i shkon për miratim Ambasadorëve të BE-së.
  • Më pas, Parlamenti Evropian duhet të votojë pro liberalizimit të vizave.
  • Pas Parlamentit, prapë janë ambasadorët e BE-së ata që duhet të votojnë pro liberalizimit të vizave.
  • Votimi i fundit duhet të bëhet nga Ministrat e BE-së.
  • Nëse edhe ministrat evropian e miratojnë liberalizimin e vizave, atëherë akti ligjor duhet të nënshkruhet nga të tri shtyllat e BE-së, Komisioni Evropian, Parlamenti dhe Këshilli Evropian.
  • Vendimi, përfshirë ditën kur ai hyn në fuqi, duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe me këtë merr fund odiseja për udhëtim pa viza.

Megjithë marrëdhëniet e komplikuara, ekspertpt janë të një mendimi se Ballkani Perëndimor nuk ka alternativë tjetër veç BE-së./VOA

 

Fraksion.com