AktualitetBota+Të fundit

SHBA shton sanksionet kundër zyrtarëve iranianë të sigurisë

Qeveria amerikane do të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj zyrtarëve të lartë iranianë të sigurisë, pas vdekjes së një gruaje në paraburgim.

”Jam shumë i shqetësuar për raportet për intensifikimin e goditjes së dhunshme ndaj protestuesve paqësorë në Iran, përfshirë studentë dhe gra, të cilat po kërkojnë të drejtat e tyre të barabarta dhe dinjitetin bazë njerëzor”, tha presidenti Biden në një deklaratë.

”Më vonë këtë javë, SHBA do të shpallë sanksione të mëtejshme për autorët e dhunës kundër protestuesve paqësorë”, theksoi ai.

“Ne do të vazhdojmë t’i konsiderojmë përgjegjës zyrtarët iranianë dhe do të mbështesim të drejtat e iranianëve për të protestuar lirisht”, tha Biden.

Qindra mijëra njerëz në të gjithë Iranin kanë protestuar kundër qeverisë që nga vdekja e Mahsa Aminit, një gruaje 22-vjeçare.

Ajo u arrestua më 13 shtator nga Policia e Moralit për shkelje të kodit të rreptë të veshjes islame.

Interpretimi i rreptë i Kuranit nga Irani kërkon që gratë të mbulojnë flokët dhe pothuajse të gjithë lëkurën, përveç fytyrës.

Amini vdiq në spital më 16 shtator pasi kishte rënë në koma, por shkaku i vdekjes së saj mbetet i panjohur.

Dëshmitarët në kryeqytetin Teheran kanë thënë se si forcat e sigurisë ashtu edhe protestuesit janë bërë gjithnjë e më të dhunshëm.

 

Fraksion.com