AktualitetPolitikëTë fundit

Gjiknuri prezanton Spiropalin si drejtuese politike e Shkodrës

Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri prezantoi sot para strukturave të Partisë Socialiste të Shkodrës, drejtuesen e re politike, Elisa Spiropali, e cila sipas tij me eksperiencën e saj të gjatë politike dhe si ish-drejtuese e FRESSH, do ta forcojë edhe më shumë PS në qytetin verior.

Në një komunikim me mediet pas mbledhjes, Gjiknuri theksoi se PS do të paraqesë alternativën e saj më të mirë për Shkodrën dhe qytetarët e saj.

Gjiknuri tha se gjatë takimit u theksuan edhe një herë direktivat e përgjithshme, që kanë të bëjnë me fillimin e organizimit të procesit për përgatitjen për zgjedhjet vendore, ku Partia Socialiste ka një platformë për Shkodrën.

“Dihet që Shkodra nuk është nga ato qarqe të thjeshta për Partinë Socialiste. Ne kemi disa objektiva dhe synojmë t’i fitojmë disa bashki në Shkodër. Megjithatë unë jam i bindur se Elisa me eksperiencën e saj të gjatë politike, edhe si ish-drejtuese e FRESSH, do ta ngrejë edhe më fort Partinë Socialiste në Shkodër, në mënyrë që të rikthehemi në rekordet më të mira historike. Unë kam bindjen tek Elisa, në zotësinë e saj politike. Ky ishte dhe qëllimi i mbledhjes”, nënvizoi Gjinuri.

I pyetur se çfarë nuk shkon me socialistët në Shkodër, pasi nuk kanë fituar as kur kanë qenë të vetëm në garë, Gjiknuri u shpreh se “çdo njeri ka zgjedhjen e tij, e rëndësishme është që PS të paraqesë alternativën e saj, që gjithmonë ne besojmë se është më e mira, por në fund të fundit e gjykojnë qytetarët. Nuk është tragjedi se nuk u fitua në Shkodër. Fatkeqësisht. S’më vjen mirë, sepse mund të ishte shumë më mirë për qytetarët e Shkodrës, që të drejtohej nga Partia Socialiste”.

Ndërsa drejtuesja e re politike e këtij qarku, Elisa Spiropali, nënvizoi se PS do të sjellë kandidaturat më të mira të mundshme për këtë qark.

Spiropali shprehu bindjen se energjia dhe gatishmëria e qeverisjes socialiste për të punuar fort në të gjitha këto bashki, do të vlerësohet nga qytetarët.

“Ne nuk jemi këtu për t’iu imponuar ofertën e Partisë Socialiste, ne jemi këtu për të ofruar më të mirën për qytetarët e këtij qarku. E të jeni të sigurt se bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm dhe me kryesinë e PS, ne do të sjellim kandidaturat më të mira të mundshme për këtë qark. Më pas u takon jo vetëm socialistëve, por të gjithë qytetarëve, që të bëjnë zgjedhjen e tyre. Ne do të punojmë fort për më shumë unitet në Partinë Socialiste, për harmonizim të gjithë energjive, por dhe për prurjet e reja dhe për të ofruar alternativën më të mirë. Kemi besim që kjo energji e shpenzuar, kjo kohë, por dhe gatishmëria jonë për të punuar fort, që në të gjitha këto bashki të bëjmë punën më të mirën e mundshme, të sjellim investime, do të vlerësohet nga qytetarët”, nënvizoi Spiropali.

Spiropali u shpreh se “e çmoj shumë punën që ka bërë drejtuesja e mëparshme politike, Edona Bilali, kolegia ime në qeveri, e cila ka qenë shumë e angazhuar dhe shumë e zellshme për çështjet e Shkodrës, si në qeveri, ashtu edhe në Parlament. Ka qenë e palodhur edhe në kushte pak të rënduara. Ajo është bërë me djalë dhe i urojmë ta ketë me jetë të gjatë. Do të punoj ngushtësisht me të dhe me të gjithë deputetët e tjerë të Shkodrës, për të bërë më të mirën për këtë qark dhe për të sjellë ofertën më të mirë të PS-së”.

Pyetjes nëse do të ketë tashmë një zë dhe për Shkodrën, Spiropali iu përgjigj se “ne jemi të gjithë shqiptarë, qytetarë të këtij vendi dhe duhet të punojmë pavarësisht ngjyrave, pavarësisht ekipeve tona politike. Këtë qasje kemi pasur. E kemi pasur dhe në Tropojë, kur nuk drejtohej nga PS dhe shkoni shihni në Tropojë se si ka ndryshuar. Është i dukshëm ndryshimi tashmë. Në Pukë, dhe në Fushë- Arrëz dhe në Malësi të Madhe, ndryshimi që kanë sjellë Partia Socialiste përmes qeverisjes së saj në Vaun e Dejës është e dukshme. Ne punojmë për qytetarët, ne nuk punojmë për partinë. Ne nuk i shohim partitë si qëllime në vetvete, ne i shohim partitë si instrument për të ndryshuar jetën e njerëzve”.

E pyetur nëse ka një objektiv se sa do të marrë PS nga 5 bashkitë e qarkut në zgjedhjet në 2023 në Shkodër, Spiropali tha se “nuk i vendosim këtu objektivat, por të jeni të sigurt që në vazhdim në komunikimet tona me ju, do të kemi mundësi të komunikojmë edhe në ditë të tjera”.

 

Fraksion.com