AktualitetPolitikëTë fundit

Tedi Blushi denoncon tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes: Shpenzime luksi, në kohë krize! Peleshi po prish 600 mijë euro për shërbime çlodhjeje!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka denoncuar tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes për shpenzime luksi.

Sipas Blushit, Peleshi po prish 600 mijë euro për shërbime çlodhjeje. Blushi ka bërë thirrje në emër të Partisë së Lirisë qeveria duhet të anulojë urgjent tenderin dhe fondi të ndahet për familjet më në nevojë.

REAGIMI I BLUSHIT

Shpenzime luksi, në kohë krize! Ministri Peleshi hap tender “tallavaje”: 600 mijë euro për shërbime çlodhjeje!

Në kulmin e krizës ekonomike, Ministria e Mbrojtjes shpall tender për aktivitete artistike, krejtësisht të panevojshme në kushtet kur ndodhet vendi ynë.

Kur 67% e popullsisë me të ardhura më pak apo deri në 5.5 dollarë në ditë, po ndjen si kurrë më parë lakun e varfërisë për shkak të rritjes abuzive të çmimeve, dhe kur Qeveria u ndan “thërrime” shtresave më në nevojë të shoqërisë që po lëngojnë nga mjerimi i tejskajshëm, Niko Peleshi vendos të shpërdorojë fondet publike për ahengje.

Kur pensionistët çdo ditë ndjejnë koston e rëndë të shtrenjtimit të ushqimeve, ilaçeve dhe energjisë elektrike, kur mjekët, infermierët dhe arsimtarët kërkojnë rritje rroge, kur studentët kërkojnë më shumë mbështetje ekonomike për të përballuar universitetet, kur jetimët në qendrat sociale janë të paushqyer sepse u vidhet edhe kafshata, Niko Peleshi shpall tender për “tallava”.
Anuloni urgjent tenderin dhe ndani këto fonde për familjet më në nevojë!
Qeverisë së tallavasë, babëzisë dhe paligjshmërisë që zhvat papushim shqiptarët dhe fondet e tyre i keqpërdor në këtë farë feje, i duhet treguar vendi sa më parë!

foto galeri

 

Fraksion.com