Sulmi kibernetik iranian kundër Shqipërisë kërkon rritjen e përfshirjes së NATO-s
Synimi i sulmit kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë në korrik ishte të kthente vendin ballkanik në shekullin e kaluar. Pas rënies së komunizmit, Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë punuar fort për të kapërcyer dekadat e neglizhencës në infrastrukturë dhe për të ndjekur ritmin e fqinjëve të tyre evropiano-perëndimorë, shkruan koloneli Wesley Martin, ish-oficer i Lartë i Antiterrorizmit për të gjitha Forcat e Koalicionit në Irak dhe ish-Shef i Operacioneve të Informacionit të Departamentit të Ushtrisë Amerikane në një analizë për “International Business Times”.
Që nga marrja e detyrës në vitin 2013, kryeministri Edi Rama ka drejtuar vendin. Duke qenë se kam vizituar shumë herë Shqipërinë në dekadën e fundit dhe duke qenë personalisht në biseda me Ramën, kam parë përparimin e vendit. Një artist me formim akademik, ai ka vendosur ta shndërrojë vizionin e tij për të ardhmen e Shqipërisë në një kanavacë realiteti.
Një nga hapat e tij të parë ishte përmirësimi i efikasitetit të administratës. Pa pasur kontakt me teknologjinë, administrata shqiptare funksiononte me shkresa. Duheshin muaj që qytetarët të aplikonin dhe të prisnin një dokument të thjeshtë si patenta e shoferit. Krahasuar me proceset administrative amerikane dhe evropiano-perëndimore, Shqipëria ishte në rastin më të mirë në periudhën e viteve ’70.
Për 10 vjet, Shqipëria ka ecur me shpejtësi. Një nga vendimet e para të Ramës ishte caktimi i misionit të transformimit dixhital në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë së Informacionit (AKSHI). Siç deklarohet në fokusin e tij të misionit, roli i AKSHI-t është të hulumtojë fusha duke përfshirë dixhitalizimin, ndërlidhjen e sistemeve, shërbimet e centralizuara online, çështjet dhe zgjidhjet për infrastrukturën e informacionit, pagesat elektronike dhe qeverisjen elektronike në Shqipëri.
E udhëhequr nga Mirlinda Karçanaj, një nga ekspertet më të afta të Operacioneve të Rrjetit Kompjuterik në Evropë, AKSHI ka qenë i rëndësishë në ngritjen e Indeksit të Pjesëmarrjes elektronike të Shqipërisë të Kombeve të Bashkuara nga vendi i 101-të në 2011 në të 36-in në 2022. Ky sukses është arritur përmes elementeve të vendosura të suksesit të drejtimit, legjislacionit, strukturës institucionale, infrastrukturës dhe burimeve njerëzore.
Ndërsa nuk ndërhyn në operacionet e AKSHI-t, kryeministri Rama ofron mbikëqyrje të drejtpërdrejtë. Përfshirja e tij mundëson disponueshmërinë e menjëhershme dhe zgjidhjen e drejtpërdrejtë të vështirësive të brendshme qeveritare. Përfshirja e kreut të partisë në pushtet mundëson miratimin më të lehtë të legjislacionit. Këto suksese janë pikërisht ato që qeveria iraniane kishte ndërmend të hidhte poshtë korrikun e kaluar.
Arsyeja kryesore për agresionin e Teheranit ka qenë pranimi i disidentëve iranianë në Shqipëri. Populli i Shqipërisë ka një histori të kundërshtimit të padrejtësisë dhe gjenocidit. Qytetarët shqiptarë shprehen me krenari se më shumë hebrenj jetonin në vendin e tyre kur nazizmi sundonte Gjermaninë sesa përpara ngjitjes së tij në pushtet.
Kryeministri Rama ka plotësuar amanetin e etërve të tij. Ai urdhëroi largimin nga Shqipëria të ambasadorit iranian kur u zbulua se diplomati ishte agjent i Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS).
MOIS është e njëjta organizatë terroriste iraniane që u pengua në përpjekjen e saj për të bombarduar një takim të Parisit në 2018. Nëse nuk do të kishin vepruar në mënyrë të kombinuar agjencitë e zbatimit të ligjit, ato belge, franceze dhe gjermane, ai komplot do të kishte sukses. Policia shqiptare ishte e suksesshme në parandalimin e një komploti të mëvonshëm të bombave të MOIS kundër disidentëve iranianë që jetonin në veriperëndim të Tiranës.
Sulmi iranian i korrikut dëmtoi shumë infrastrukturën kibernetike shqiptare.
Një hetim i përbashkët që përfshin komunitetin kibernetik shqiptar, Byronë Federale të Hetimit të SHBA-së dhe Microsoft-in kanë përcaktuar se para sulmit të korrikut, MOIS kaloi katërmbëdhjetë muaj në përgatitje. Kjo përfshinte shfrytëzimin dhe krijimin e katër operacioneve vartëse të hakerëve për të nisur njëkohësisht sulmet.
Pasi të jenë instaluar dhe zbatuar aftësitë kibernetike, Operacionet e Rrjetit Kompjuterik përbëhen nga tre elementë kryesorë, Mbrojtja e Rrjetit Kompjuterik (CND) duke përfshirë Veprimet e Përgjigjes (CND-RA), Shfrytëzimin e Rrjetit Kompjuterik (CNE) dhe Sulmin në Rrjetin Kompjuterik (CNA).
Për fat të mirë, puna e kryer tashmë nga AKSHI dhe pjesëmarrës të tjerë të komunitetit kibernetik të Shqipërisë parandaloi dëme shumë më serioze. Shqipëria do të rimëkëmbet dhe do të përdorë mësimet e sulmeve të korrikut për të përmirësuar aftësitë e saj CND dhe CND-RA. Ajo gjithashtu do të jetë në gjendje të zbatojë sisteme të përmirësuara të treguesve dhe paralajmërimit për CNE dhe CNA nga Irani dhe të gjithë kundërshtarët e tjerë, qofshin ato shtete kombe apo kriminelë.
Ndërsa Shqipëria rimëkëmbet dhe rrit aftësitë e saj CNO, NATO duhet të përfshihet më aktivisht.
Në vitin 2009 Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe garanton mbrojtjen kolektive të pjesëmarrësve evropianë dhe amerikanë. Nënshkruar në vitin 1949, neni V i Traktatit të Atlantikut të Veriut thotë: “Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre në Evropë ose Amerikën e Veriut do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve…”
Sulmet e MOIS ndaj qeverisë shqiptare dhe infrastrukturës financiare ishin sulme të armatosura përmes spektrit elektromagnetik.
Termi “i armatosur” nuk vlen vetëm për sulmet kinetike. Sulmet jokinetike mund të jenë më shkatërruese strategjikisht për infrastrukturat kritike të një kombi. CNA-të e planifikuara dhe të ekzekutuara mirë mund të shkatërrojnë aftësinë operacionale të qeverive dhe bizneseve, gjë që MOIS synoi të arrinte.
Ajri, toka, deti, hapësira dhe hapësira kibernetike janë pesë fushat e vendosura të betejës.
Albert Ajnshtajni tha me të drejtë se “bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të njerëzve që janë të këqij, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për të”.
Sipas traktatit të saj, NATO ka përgjegjësinë për të ndihmuar vendin anëtar, Shqipërinë, të mbrohet kundër agresionit.
Shqiptarët kanë bërë një rrugë të gjatë në një periudhë të shkurtër kohe. Nuk duhet të pritet që ata ta bëjnë këtë udhëtim të vetëm./atsh
Fraksion.com