Referendumet dhe mobilizimi me pranga, prova e krimeve dhe dështiit të Rusisë
Nga gjeneral PIRO AHMETAJ*
Në respekt të disa qindra mesazheve inkurajuese, por edhe rezervave ndaj opinionit me të njëjtin subjekt (publikuar gjerësisht nga media brenda dhe jashtë vendit), po paraqes këndvështrime strategjike rreth zhvillimeve thelbësore në fushëbetejën e Ukrainës, por jo vetëm:
I. Referendumet nën zinxhirët e tankeve dhe me bajonetat e pushtuesve, i çmoj si përpjekje dëshpëruese të Rusisë Putiniste për të mbuluar krimet barbare të luftës në Ukrainë! Kurrsesi nuk mundet dhe nuk do të njihen nga bashkësia ndërkombëtare (USA, OKB, BE, NATO, etj.) pasi jo vetëm nuk japin asnjë zgjidhje, por i përkeqësojnë pasojat e aventurave ushtarake.
I menjëhershëm dhe i prerë, qëndrimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken: “Ne nuk do ta njohim kurrë aneksimin me referendume të territorit ukrainas nga Rusia.. Ukrainasit do të vazhdojnë përpjekjet për të rimarrë territorin e pushtuar. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim ata në këtë përpjekje”.
Ndërsa, po ashtu, ndaj “referendumeve me bajoneta derë më derë”, Sekretari Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, iu përgjigj me “simbolikën e përballjes me flamujt e 30 vendeve të Aleancës Transatlantike”!
II. Mobilizimi i 300 mijë rezervistëve dhe thirrjet e Patriakut në këtë aventurë vrastare, i çmoj si: “Konfirmim zyrtar të dështimit të ofensivës neonaziste të Rusisë për të arritur objektivat strategjike, ndaj integritetit territorial të një vendi sovran (Ukrainës) duke sfiduar edhe rendin global të sigurisë”!
E thënë më tepër, mbas +7 muajsh, makineria ushtarake e Kremlinit jo vetëm ka mbetur e rraskapitur në baltën e përgjakur me rreth 80 mijë ushtarak/qytetarë rusë të vrarë si dhe ka humbur iniciativën strategjike në fushëbetejë, por edhe po diskreditohet në përballjen me fuqinë ushtarake, vlerat demokratike, solidaritetin e botës së qytetëruar si dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (USA/NATO/BE).
III. Putini nuk do ta shtypë butonin e kuq të armëve bërthamore. Kjo, pasi nëse ai do guxonte, Rusia do merrte shpagimin e merituar nga USA/NATO si dhe putinistët, ashtu si nazistët, do të ndëshkoheshin: “Për krime kundër njerëzimit”! Po ashtu, elitat mendjehapura dhe gjenerata e re e Rusisë kurrsesi nuk do të lejojë që Rusia të damkosej përjetësisht si shtet terrorist.
Kjo ishte edhe përgjigjja e vendosur e Presidentit Biden, gjatë fjalimit historik në OKB, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe BE, drejtuar Putinit, Kim Jongut, Teheranit, si dhe kujtdo tjetër diktatori të marrosur nga paranoja e luftërave të përgjakshme.
IV. Bashkë me dështimin për pushtimin e Ukrainës, Rusia po/do të humbasë edhe peshën gjeopolitike në mbarë Botën, Detin e Zi, në Ballkan, Mesdhe, etj.
Për pasojë, kjo do të shërbejë si një rrethanë e favorshme për t’i hapur rrugë procesit të anëtarësimit të Kosovës dhe BosnjeHercegovinës në NATO si dhe për të zhvilluar Masat e Mirëbesimit Reciprok (CSBM) mes vendeve te Rajonit në dobi të stabilitetit demokratik, mirëqenies dhe besimit të qytetarëve në axhendën e integrimit në BE.
V. Ndërsa për oscilacionet e Z. Vuçiç mbi: “Kufijtë e rinj shtetërorë; trimërimin pas lufte me (mos) njohjet e Kosovës si dhe nënshkrimin të Marrëveshjes së nënshtrimit ndaj Rusisë”, nuk trembin as Kosovën, as Shqipërinë, aq më pak fuqinë e sprovuar (1999!) të NATO-s, por vetëm diskreditojnë dhe minojnë rëndë axhendën e udhëtimit të Serbisë drejt BE dhe vlerave euroatlantike.
Kështu, pa u tharë ende boja e kësaj marrëveshje, të nënshkruar në mënyrë cinike në Neë York (!), vjen edhe përgjigjja në draftrezolutën e Parlamentit Europian (PE): “BE të vijojë negociatat e anëtarësimit me Serbinë vetëm NËSE ky vend u përmbahet sanksioneve të BEsë kundër Rusisë”.
Duke marrë në konsiderata këto rrethana, do t’i këshilloja faktorët shtetërorë dhe politik të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare që: “Humbjen e luftës dhe kolapsin e Superfuqisë Ruse”, për pasojë edhe e peshës së Serbisë në Rajon, e gjej jo vetëm si një rrethanë të artë gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSH në vendimmarrjet e mëdha (me SHBA/UN/ NATO/), për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat Kombëtare në Rajon, Mesdhe, etj., por edhe në dobi të paqes, stabilitetit demokratik dhe axhendën e integrimit Euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor”!
Ish gjeneral Piro Ahmetaj: *Senior Expert për SK, Rajonin dhe NATO-n, Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Ish: Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh, Zv/SHSHPFA & Përfaqësues në SHAPE/ NATO.
Fraksion.com