“Shtyrja e çmimit të energjisë”, Tabaku: Qeveria ndërmorri vendimin nga frika dhe jo nga arsyeja
Deputetja e PD, Jorida Tabaku, i ka dërguar një shkresë drejtorit të bordit të ERE, Petrit Ahmeti, ku i kërkon rishikimin e vendimit të një jave më parë për rritjen e çmimit energjisë që kishte propozuar qeveria.
Në shkresë Tabaku ka evidentuar edhe një herë arsyet e rritjes së çmimit të energjisë dhe njëkohësisht ka kërkuar që në bazë të fakteve të reja të bëhej mbledhja urgjente e bordit të ERE për të mos lejuar rritjen e çmimit të energjisë për 100 mijë familje.
Sipas Tabakut u provua që vendimi që u mor nga qeveria ishte abuziv.
“Rritja e çmimit të energjisë për familjet shqiptare ishte i pabazuar dhe i motivuar politikisht pa asnjë studim të thelluar, sikundër dhe u provua më tej. Vendimi që u mor nga qeveria dhe nga ERE ishte abuziv. Ndërkohë që sot është shumë e qartë që qeveria shqiptare e ka ndërmarrë vendimin për të shtyrë rritjen e energjisë elektrike për 100 mijë familje nga frika dhe jo nga arsyeja. Duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhen sot familjet shqiptare, gjendjen ekonomike dhe situatën e vështirë të shtresës së mesme që preket thellësisht nga kjo rritje e pamotivuar çmimi”, shprehet Tabaku.
Ajo thekson se, “meqenëse ERE ende nuk ka ndërmarrë një vendim të tillë që do t’i vijë në ndihmë 100 mijë familjeve, kërkuam mbledhjen urgjente të ERE dhe një vendim të qartë për të rrëzuar vendimin që i njëjti bord morri një javë më parë. Në këtë kohë krize është tejet jetike që shëndeti financiar dhe ekonomik i familjeve shqiptare të jetë parësor dhe më i rëndësishëm se sa çdo gjë tjetër. Prandaj presim nga momenti në moment mbledhjen urgjente të bordit për të marrë vendimin e duhur në favor të shqiptarëve”.
Qeveria vendosi të shtyjë pa afat hyrjen në fuqi të faturimit të energjisë elektrike me fashën 800 kilovat që pritej të niste nga 1 tetori. Me këtë vendim, konsumatorët familjarë do të vazhdojnë të paguajnë 9.5 lekë për kilovat.
Fraksion.com