AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Rama tallet me popullin. Do përballet me revolta të fuqishme

Vetëm pak minuta pasi Kryeministri Rama foli për rikthim të fashës mbi 800 KW/h në muajin nëntor, Sali Berisha e akuzoi nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike për tallje me shqiptarët.

 “Dje u thotë e hoqa fashon, sot thotë se fashoja është në fuqi. Sikur nuk flet për qytetarët shqiptarë. Po sikur flet për kuzhinën e tij, për oborrin në Surrel. Sikur energjinë e nxjerr nga shtëpia e tij dhe i trajton shqiptarët si askush tjetër. Nëse ka njeri që po tallet me këtë popull që po shpërbëhet, është Edi Rama.”

Paralajmëroi protesta paqësore në kundërpërgjigje të vjedhjes që tha se Kryeministri u bën shqiptarëve.

”Çfarë janë këto? Këto janë dëshmi se revolta, urrejtja për këtë qeveri tek qytetarët po vlon, po zjen.”

Me shqetësim foli jo vetëm për keqqeverisjen e Ramës, por edhe punët në shtëpinë e tij politike. Nga të vetët kërkoi mobilizim në çdo qelizë të partisë dhe ndryshimin me urgjencë të situatës.

“Ky është një oqean pune. Një det pune. Ku jemi ne me këtë? Absolutisht jemi larg. Askush të mos mendojë se mund të fitohet vetëm me makro-aktivitete. Nuk fitohet. Por pa kombinimin e aktiviteteve të tjera në nivel seksioni, në nivel hyrje,blloku, në çdo skaj, ne në këto kushte fitore nuk shohim.”

Drejtuesit e degëve i ngarkoi me disa porosi, duke u kujdesur që në zgjedhje kjo forcë politike mos përballet me fenomene negative të së shkuarës.

Bashkë me ta të shkojnë, të takojnë, të trokasin, të verifikojnë dhe identifikojnë. Mos të harrojmë se në 2-3 zgjedhjet e fundit kjo parti ka pasur me dhjetëra e dhjetëra qendra votimi pa komisionerë.  E turpshme, një parti kombëtare shkon dhe përfundon aty nuk është e zonja të nxjerr komisionerë.”

Kur na ndajnë 7 muaj nga beteja elektorale, demokratët miratuan edhe  procedurat që do të ndiqen për zhvillimin e primareve, pjesë e të cilit do të jenë jo vetëm anëtarë të kësaj force politike.

“Nuk do të marrë pjesë vetëm anëtarësia e PD por edhe simpatizantët”, tha Edi Paloka

Përfshirjen e simpatizantëve krahas anëtarësisë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale demokratët e shohin si mundësi drejt hapjes së partisë.

 

Fraksion.com